Një person ka humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë sëmurë në Shtetet e Bashkuara pas infektimit me bakterin Escherichia coli, i cili besohet se është lidhur me hamburgerat e McDonald’s. Lajmi u njoftua të martën nga autoritetet shëndetësore amerikane.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), shumica e rasteve janë raportuar në shtetet e Kolorados dhe Nebraskës, por infektime janë identifikuar gjithashtu në gjithsej dhjetë shtete të tjera në SHBA perëndimore.
Pas njoftimit të këtij incidenti, aksionet e McDonald’s ranë me më shumë se 8% në tregtimin pas orarit të punës në bursën e Nju Jorkut. Deri tani, janë raportuar 49 persona të infektuar nga i njëjti lloj E. coli, prej të cilëve dhjetë janë shtruar në spital.
Sipas hetimeve, të gjithë personat e intervistuar kanë pranuar se kishin ngrënë në McDonald’s para se të sëmureshin, me shumicën që kanë konsumuar hamburgerin e njohur si “Quarter Pounder”. Megjithatë, përbërësi specifik që shkaktoi infeksionet E. coli nuk është identifikuar ende, por dyshimet janë për mishin e grirë ose qepën. Të dy këta përbërës janë tërhequr nga McDonald’s në shtetet e përfshira për të hetuar çështjen.
Simptomat e infeksionit me bakterin E. coli përfshijnë ngërçe në stomak, diarrehë ujore (ndonjëherë me gjak), të vjella dhe temperaturë të ulët, që zgjat zakonisht tre deri në katër ditë. Megjithëse shumica e të infektuarve shërohen pa trajtim, disa mund të zhvillojnë komplikacione serioze dhe madje të vdesin.
Autoritetet shëndetësore vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të japin rekomandime për të minimizuar rrezikun e infeksioneve të tjera./UBTNews/