Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë. Ky është dënimi i parë që shqiptohet nga gjykata vendore në Kosovë.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thotë se kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend.
“Edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend. QKRMT përmes shërbimeve rehabilituese që ofron, ka fuqizuar të mbijetuarën në kërkesën e saj për drejtësi, si dhe ka iniciuar rastin. Gjithashtu, QKRMT ka bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe me vetë viktimën. Përveç ofrimit të rregullt të shërbimeve psiko-sociale, QKRMT ka asistuar dhe mbështetur viktimën në të gjitha etapat e procesit hetues dhe gjyqësor. Ne nuk do të reshtim derisa ta shohim edhe përdhunuesin e fundit prapa grilave”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës./UBTNews