UBT News

Dhjetë fakte rreth kurorës së Mbretëreshës Elizabetë II

Bizhuteritë e familjes mbretërore ngërthejnë bukurinë, luksinë dhe mbi të gjitha historinë. Mbi të gjitha, kurora e shtetit perandorak bie në sy sepse u përdor në ceremoninë e kurorëzimit të Mbretëreshës Elizabetë II, në vitin 1953.

Është realizuar nga gurë të çmuar, perla, metale dhe material kadifeje. Ky aksesor trashëgohet nga një monark te tjetri, por me kalimin e kohës ka përjetuar edhe disa ndryshime.

1.Peshon rreth 1 kilogram

Kurora peshon rreth 1 kilogram për shkak të gurëve të çmuar.

2.Materialet me të cilat u prodhua

Kurora perandorake është e përbërë nga një kornizë mahnitëse prej ari me punime të hapura, gati 3 mijë diamante në baza argjendi, 17 safirë, 11 smerald dhe rreth 270 perla. Jo vetëm kaq, por ka edhe një diamant të madh, përveç disa rubinëve dhe safirëve që zbukurojnë pjesën e përparme dhe të pasme të një prej kurorave më të famshme në histori.

3.U ridizajnua që të jetë më femërore

Për kurorëzimin e Elizabetë II në vitin 1953, kurora e famshme iu nënshtrua një ridizajnimi për ta bërë atë më të lehtë dhe më femërore, pasi monarku i ri ishte vetëm 27 vjeç në atë kohë. Kështu, ka dallime midis modelit të përdorur nga Xhorxh VI dhe atij të mbretëreshës aktuale.

4.Rubini në qendër

Bizhuteritë që zbukurojnë kurorën kanë shumë legjenda dhe me arsye. Në pjesën e përparme mund të gjeni “rubinin e princit të zi”. Ky gur gjysmë i çmuar i përkiste Pjetrit I të Kastiljes, i njohur shpesh si “mizori” dhe nganjëherë si “i drejti”, para se t’i jepej Eduardit, Princit të Uellsit, i njohur si “princi i zi”. Këtij princi iu dha guri si dhuratë në vitin 1367 për të mposhtur armiqtë e tij në betejë, transmeton UBTNews.

5.”Bizhuteritë e kurorës” ekspozohen para publikut

Shumica e mbretërve dhe mbretëreshave të Anglisë kanë ruajtur kurorat, rrobat dhe gjësendet e tjera me vlerë në kullën e famshme të Londrës. Këto objekte zakonisht njihen si “bizhuteritë e kurorës” dhe ekspozohen para publikut. Më shumë se 30 milionë persona e kanë parë këtë koleksion të mrekullueshëm, i cili është ndoshta koleksioni më i vizituar në Britani, dhe ndoshta edhe në të gjithë botën.

6.Përdoret në raste të veçanta

Përveç përdorimit në ceremoninë e kurorëzimit të monarkëve të Mbretërisë së Bashkuar, çdo vit, xhevahiri i madh udhëton nga Kulla e Londrës, ku zakonisht mbahet, deri në Pallatin e Uestminster.

Kurora zakonisht përdoret gjatë ceremonisë hapëse të parlamentit britanik. Vitet e fundit, Mbretëresha vendosi që të mos ta përdorte këtë aksesor të famshëm me veshjet e saj për shkak të peshës që ka kurora.

7.Diamanti qendror

Ishte viti 1905 kur diamanti më i madh në botë u zbulua në Afrikë të Jugut. U emërua Cullinan dhe peshonte 3 mijë karate. Dy vjet më vonë, në vitin 1907, ky diamant iu dha Mbretit Eduard VII si dhuratë ditëlindje. Pas saj, ky gur i çmuar u nda në copëza. Një nga to, Cullinan II ose “ylli i dytë i Afrikës” u vendos në qendër të kurorës aktuale të Mbretëreshës Elizabetë II dhe peshon 317 karatë.

8.Historia e kurorës

Kurora u realizua për kurorëzimin e babait të mbretëreshës, Xhorxh VI, në vitin 1937, por ishte bazuar në kurorën që u krijua për mbretëreshën Viktoria në vitin 1838. Termi “Kurora e shtetit perandorak” filloi të përdorej nga shekulli i 15-të, kur monarkët anglezë zgjodhën një model të mbyllur me harqe për të treguar se Anglia nuk i nënshtrohej asnjë fuqie tjetër tokësore.

9.Çmimi i kurorës

Bizhuteritë e kurorës kanë një vlerë mes 4-7 miliardë dollarë. Diamanti Cullinan I, që është guri më i çmuar i kurorës, vlen 500 milionë dollarë. Por saktësisht sa është çmimi i kurorës nuk dihet.

Në vitin 1953, Mbretëresha Elizabetë II nuk mbante as një as dy kurora gjatë kurorëzimit të saj, por ajo ndryshoi aksesorët përgjatë eventit, duke zgjedhur tri pjesë për ta zbukuruar kokën. Fillimisht, ajo mbante diademën shtetërore të Xhorxh IV gjatë rrugës për në ceremoni. Pastaj vendosi kurorën e Shën Eduardit. Dhe kur arriti në pallatin Bucking Palace, Elizabetë II vendosi kurorën e famshme./UBTNews

Exit mobile version