Armend Mehaj dha dorëheqje nga pozita e ministrit të Mbrojtjes në Kosovë, por në vend të tij sot (e martë) kryeministri Albin Kurti emëroi Ejup Maqedonci.
Mehaj ka shkruar në Facebook se dorëheqja e tij nga kjo pozitë ka ndodhur për arsye familjare.
Në letrën e tij të gjatë ai ka përmendur të arriturat, e një ndër to, sipas tij është shtimi kontakteve dhe fuqizimi raporteve të dyanshme me partnerët dhe aleatët tanë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Turqinë, Italinë, Shqipërinë, Kroacinë dhe me vende të tjera të NATO-s, ku Kosova synon të anëtarësohet si shteti i 33-të anëtar.
“I kemi shtuar kontaktet dhe i kemi fuqizuar raportet e dyanshme me partnerët dhe aleatët tanë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Turqinë, Italinë, Shqipërinë, Kroacinë dhe me vende të tjera të NATO-s, ku Kosova synon të anëtarësohet si shteti i 33-të anëtar. Kemi nisur edhe shumë e shumë projekte dhe programe, që ndër vite do t’i prodhojnë efektet e tyre progesiste për forcimin e FSK-së, për çka i kemi angazhuar të gjitha burimet njerëzore dhe materiale në dispozicion, duke i menaxhuar në mënyra sa më efikase me qëllim të maksimalizimit të efektshmërisë”, thuhet në rrëfimin e Mehajt në Facebook.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Kosovës, të dashur bashkëatdhetarë
Gatishmëria e secilit qytetar që ka vullnet për të kontribuar për vendin e tij, ka nevojë për mundësi dhe për hapësirë veprimi. Në formën e saj më të lartë, mua mu ofrua kjo mundësi dhe mu krijua një hapësirë e tillë në fillim të vitit 2021, kur atë kohë Kryeministri në ardhje i Kosovës, Albin Kurti, më ftoi t’i bashkohesha në kabinetin e tij qeverisës, në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.
Sot, më 08 gusht 2023, në mirëkuptim dhe mirëbesim të plotë, me kërkesën time, Kryeministri Albin Kurti më ka liruar nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës! Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.
Pas shumë vitesh shërbim në uniformë, për mua si ushtarak ka qenë përgjegjësi dhe privilegj ta merrja këtë detyrë kaq të lartë, nëpërmjet të cilës profesionalizmi dhe përvoja ime ushtarake, erdhën në shprehje në formë politikash dhe strategjish shtetërore. Që nga 22 marsi i vitit 2021, kur u zgjodh qeveria Kurti 2 dhe deri sot, ka qenë një rrugë e gjatë dhe me plot sfida, me shumë punë dhe përpjekje, me përgjegjësi të lartë përballë detyrave dhe me vetëdije politike përballë historisë. Por në këtë rrugëtim, kishim një vizion të përbashkët politik me Kryeministrin Albin Kurti dhe me ministrat e Qeverisë së Kosovës, të cilët dua t’i falënderoj për punët e bëra bashkë deri sot si drejtues ministrish në kabinetin qeveritar.
Në këtë pikë, dua ta falënderoj veçanërisht Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurtin, për besimin e plotë dhe mbështetjen e vazhdueshme që më ka dhënë nga dita a parë e deri sot. Jam i sigurtë që Kryeministri Kurti duke e emëruar Ejup Maqedoncin në detyrën e Ministrit të Mbrotjes, e ka zgjedhur njeriun e duhur për këtë detyrë: një person profesionist, patriot dhe të dëshmuar.
Rruga që e kam ndjekur duke e drejtuar Ministrinë e Mbrotjes, është e dëshmuar dhe e evidentueshme, bashkë me të gjitha të arriturat, sukseset dhe përparimet që e kanë shoqëruar këtë institucion. Kam patur fatin që të vihem në krye të Ministrisë së Mbrojtjes në një kohë kur Forca e Sigurisë së Kosovës, është duke kaluar nëpër një fazë të transformimit sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Për ushtrinë tonë, kjo është një periudhë shumë e rëndësishme historike, gjatë të cilës FSK-ja do t’i ngritë kapacitetet ushtarake në nivele të plota për mbrotjen e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës.
Brenda dy viteve të para të qeverisjes tonë, e kemi dyfishuar buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, nga 64 milionë euro në 123 milionë euro, ndërsa i kemi rekrutuar edhe 1836 ushtarë të rinj. Më 2021 e kemi realizuar 96 % të buxhetit vjetor, kurse më 2022 ky realizim ishte 95 %. Kurse këtë vit, deri më tani, e kemi realizuar 57 % të buxhetit vjetor. I kemi shtuar trajnimet dhe shkollimet e ushtarëve dhe oficerëve për mbi 16 herë, duke i dërguar nëpër akademi ushtarake në ShBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi, Shqipëri, Kroaci etj.
Kështu, përveç shtimit numerik të pjesëtarëve, tani Forca ka më shumë dije dhe profesionalizëm si dhe personel të trajnuar në përputhje me doktrinën e Forcës dhe sipas standardeve të NATO-s. Kemi bërë miliona euro blerje të armatimit dhe pajisjeve, për herë të parë përmes marrëveshjesh të drejtpërdrejta ndërshtetërore, duke i shmangur dhe parandaluar keqpërdorimet e mundshme. Kemi arritur që për më pak se tre vite, ta pajisim Forcën e Sigurisë së Kosovës me sisteme të reja të armatimit, duke përfshirë sisteme të mbështetjes me zjarr dhe sisteme të mbështetjes ajrore. E kemi përfshirë Kosovën si vend pritës përveçse pjesëmarrës, në ushtrimet e mëdha ndërkombëtare “Defender Europe 2021” dhe “Defender Europe 2023”, pas të cilave Forca e Sigurisë së Kosovës ka validuar njësi këmbësorie deri në nivel regjimenti.
Për herë të parë në historinë e FSK-së, ushtarët tanë kanë qenë pjesë e misioneve të mbështetjes së paqes në Lindje të Mesme dhe në Ishujt Falkland, përkrah ushtrive partnere të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe. E kemi zbatuar suksesshëm dhe për periudha të gjata kohore misionin tonë në mbështetje të autoriteteve civile, gjatë pandemisë së virusit COVID-19 dhe operacionit për strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë. Profesionalizmi ynë u dëshmua maksimalisht edhe gjatë operacionit të kërkim shpëtimit, në ndihmë popullit turk, pas tërmetit të 6 shkurtit 2023.
I kemi shtuar kontaktet dhe i kemi fuqizuar raportet e dyanshme me partnerët dhe aleatët tanë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Turqinë, Italinë, Shqipërinë, Kroacinë dhe me vende të tjera të NATO-s, ku Kosova synon të anëtarësohet si shteti i 33-të anëtar. Kemi nisur edhe shumë e shumë projekte dhe programe, që ndër vite do t’i prodhojnë efektet e tyre progesiste për forcimin e FSK-së, për çka i kemi angazhuar të gjitha burimet njerëzore dhe materiale në dispozicion, duke i menaxhuar në mënyra sa më efikase me qëllim të maksimalizimit të efektshmërisë.
Në përmbyllje të këtij kapitulli të aktivitetit tim, dua ta falënderoj kabinetin tim, gjithë stafin e Ministrisë së Mbrojtjes për punën e tyre dhe të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për shërbimin e përditshëm. Mes tyre, unë kam parë zyrtarë dhe ushtarakë të zotë, të përkushtuar dhe vetëmohues, që çdo ditë japin nga vetja e tyre për t’i çuar përpara objektivat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FSK-së.
Gjatë gjithë kësaj kohe, në punën time jam drejtuar nga idealet kombëtare të dëshmorëve të lirisë, jam mbështetur në profesionalizmin dhe përvojën time ushtarake si dhe jam përpjekur që të drejtoj me përgjegjësi dhe integritet. Është nder dhe privilegj krejt i veçantë të drejtosh një institucion si Ministria e Mbrojtjes, e cila bën politika për një ushtri që e ka origjinën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. U jam mirënjohës dhe i falënderoj prindërit e mi, që më kanë edukuar në frymën e dashurisë për Kosovën dhe kombin shqiptar, siç e falënderoj bashkëshorten time dhe tri vajzat e mija për sakrificat e bëra gjatë kësaj kohe.
Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Republikën e Kosovës e presin edhe shumë punë dhe procese, në një rrugë të gjatë drejt forcimit të shtetit tonë dhe garantimit të sigurisë së plotë të tij. E në këtë rrugë, mua do të më gjeni gjithmonë duke bashkëudhëtuar me shokë, në përpjekjen tonë të përbashkët për atdheun, për Kosovën, për kombin shqiptar.