10 persona janë ndaluar në aksionin e sotëm me urdhër të Prokurorisë së Pejës për dyshime të ndërtimeve të paligjshme. Katër prej tyre janë drejtorë të Urbanizmit në komunat Istog, Pejë, Klinë dhe Deçan, ndërsa të tjerët inspektorë në këto drejtori.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, ka njoftuar se ata dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar”.
“Sot me zbatim të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake kemi shkuar për bastisje në tri komuna: Pejë, Klinë dhe Istog. Me këtë rast janë arrestuar dhjetë zyrtarë, kryesisht drejtorë të Urbanizimit dhe inspektorë, me dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtarë’”, ka thënë ai.
Ndërsa, Lumturije Vuçetaj, prokurore në Departamentin për Krimet e Rënda në Pejë, ka thënë që ka pasur raste që në këtë rastin ka pasur edhe konflikt interesi.
“Janë ndaluar dhe janë shoqëruar persona të cilët janë kompetent dhe në këtë fazë jemi duke grumbulluar provat, mbi bazën e të cilave është krijuar dyshimi se të njëjtit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe kanë manipuluar me autoritetin zyrtar dhe njëkohësisht kanë tejkaluar kompetencat e tyre që u përkasin sipas ligjit. Në këtë drejtim disa prej rasteve kemi dyshime që kanë hasur edhe në konflikt interesi në raport me personat të cilët janë familjarë, të cilët në dukje shihen se këto vepra penale i kanë kryer në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
Vuçetaj më tutje deklaroi se në mesin e të arrestuarve janë katër drejtorë.
“Ne kemi ndaluar pra gjithsej 10 zyrtarë. Prej tyre katër janë drejtorë dhe gjashtë inspektorë. Në mesin e të arrestuarve është edhe drejtori i Inspeksionit në Pejë”, ka thënë ajo, duke paralajmëruar se të tilla aksione do të ketë edhe në ditët në vijim.
Tutje, Kurmehaj ka fol edhe për rastin në Deçan, ku ka kërkuar nga policia raport urgjent për praninë e dy qytetarëve serbë në këtë komunë, në kohën kur mijëra qytetarë u helmuan në këtë komunë.
“Sa i përket dy qytetarëve të nacionalitetit serbë, meqenëse nuk është lajmëruar Prokuroria lidhur me këtë rast, sot kam kërkuar nga Policia e Deçanit që të përpilojë një raport urgjent dhe të më njoftojnë rreth kësaj. Pastaj ne do të marrim veprime të nevojshme në atë drejtim. Edhe për këtë çështje do të ju njoftojmë në vazhdim”, ka thënë ai.
Në ndërkohë, Në mostrat e ujit të marra nga IKSHPK në Deçan janë identifikuar bakterie të cilat japin indikacione për kontaminim të ujit të pijshëm. Në këtë komunë tashmë rreth 2 mijë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të helmimit. Qytetarët janë shprehur se dyshojnë që helmimi u ka ardhur nga uji.