Pentagoni ka njoftuar një forcim të pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, duke dërguar aeroplanmbajtësen “Harry S. Truman” dhe vendosur avionë luftarak shtesë, përfshirë F-15, F-16 dhe F-35, në rajon. Këto përforcime kanë për qëllim të forcojnë aftësitë detare të SHBA-së dhe të mbrojnë stabilitetin rajonal, veçanërisht pas rritjes së tensioneve me Iranin dhe zhvillimeve të fundit në Jemen.
Një zyrtar amerikan tha për Al Jazeera se kjo ngritje e forcave përfshin gjithashtu dërgimin e bombarduesve B-2 në bazën Diego Garcia në arkipelagun Chagos. Ky hap synon të mbështesë qëllimet e SHBA-së për të penguar agresionet dhe për të mbrojtur rrjedhën e lirë të tregtisë në rajon. Forcat amerikane në Lindjen e Mesme do të arrijnë rreth 40 mijë ushtarë me këto përforcime. Aeroplanmbajtëset “Harry S. Truman” dhe “Carl Vinson” do të lundrojnë në rajon, edhe pse lokacionet e sakta të vendosjes së tyre mbeten të panjohura.
Përveç kërcënimeve të mundshme nga Irani, i cili ka paralajmëruar se do të reagojë me forcë në rast sulmi, ky grumbullim forcon angazhimin amerikan në rajon për të kundërshtuar çdo kërcënim ndaj sigurisë dhe stabilitetit të tij. Teherani ka theksuar se çdo agresion kundër tij do të çonte në një reagim të fuqishëm, ndërsa ministri i Jashtëm iranian kritikoi reagimin e Bashkimit Evropian ndaj politikave amerikane, duke e quajtur atë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.