Sot është mbajtur mbledhja e Kuvendi Komunal të Prishtinës ku nuk u miratua buxheti për vitin 2025, për shkak të mungesës së kuorumit.
Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës janë larguar nga seanca, dhe për këtë ka reaguar kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se PDK-ja e VV-ja po bojkotojnë vullnetin e qytetarëve.
Përmes një reagimi në Facebook, Rama ka thënë se ky buxhetit është hartuar në bazë të nevojave e kërkesave të qytetarëve.
“Sot mbajtëm seancën për miratimin e buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2025. Buxheti nuk u miratua në mungesë të kuorumit për shkak të lëshimit të sallës nga asamblistët e PDK-së dhe më pas atyre të Vetëvendosjes. Buxheti i vitit 2025 është i hartuar me profesionalizëm dhe në bazë të nevojave e kërkesave të qytetarëve tanë. Prandaj, lëshimi i sallës në seancën e buxhetit nga PDK dhe VV është bojkotim i vullnetit të qytetarëve. Përkundër përpjekjeve të njëpasnjëshme për bllokim të punëve të mira në Kryeqytet ne nuk do të ndalemi së punuari për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka shkruar Rama në Facebook.