Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca për rastin e ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj i cili ka paditur Zyrën e Kryeministrit-Qeverinë e Kosovës dhe ministrinë e Punëve të Brendshme. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 3 shkurt 2021 në orën 14:00.
Qalaj përmes padisë së ushtruar në nëntor të vitit 2020, po kërkon nga gjykata anulimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilit vendim ai ishte liruar nga detyra e punës dhe si rrjedhojë kthimin në pozitën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Seanca gjyqësore u mbyll pasi që gjykatësja e rastit, Saranda Bogaj-Sheremeti tha se nuk ka prova që kundër-propozuesi, Qeveria e Kosovës e ka marr ftesën në mënyrë të rregullt, ndërsa kundër-propozuesja tjetër, ministria e Punëve të Brendshme e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.
“Në bazë të provave të lëndës po rezulton se për zyrën e kryeministrit-Qeverinë e Kosovës nuk ka provë se është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo vetëm për ministrinë e Punëve të Brendshme e cila është ftuar përmes proces-verbalit. Kështu që nëse mungon ftesa për njërin atëherë nuk mund të procedojmë tutje”, tha ajo.
Avokati i Rashit Qalajt, Adem Vokshi i cili propozoi që edhe në mungesë të palëve të mbahej seanca gjyqësore, më pas u tërhoq duke thënë se nëse njëra palë në këtë rast zyra e kryeministrit-Qeveria e Kosovës nuk ka marr ftesë nuk ka logjik të mbahet seanca.
“Nëse ka prezumime procedurale me përmbajtjen e seancës, atëherë propozimi im tërhiqet sepse nuk ka logjikë që me u mbajtur seanca e mos me u ftua pala kundërshtare”, theksoi ai.
Në këtë seancë nuk ishte i pranishëm as propozuesi i këtij rasti, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Qalaj kishte ngritur padi ndaj Qeverisë së Kosovës e cila udhëhiqet nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti për shkarkimin që i ishte bërë, duke kërkuar pezullimin e konkursit për drejtor të ri.
Rashit Qalaj ishte shkarkuar nga detyra e shefit të Policisë për performancë të dobët.
Ndërkohë që Qeveria e Kosovës më 13 janar ka emëruar drejtorin e ri të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.