Takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel nuk është mbajtur sot për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë.
Edhe pse takimi kishte qenë planifikuar para dy javëve, kryetari i komisionit për të pagjeturit Andin Hoti ka njoftuar se arsyetimi i Serbisë për mos pjesëmarrje në takim është banal dhe i dëmshëm.
“Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur”, ka shkruar Hoti.
Ndërkohë, delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ka parashtruar kërkesat sipas agjendës së parashikuar, dhe për këtë ka marrë njoftimin nga Miroslav Lajçak se do të raportohet konstruktiviteti i palës kosovare dhe kërkesat e saj te vendet anëtare të BE-së.
Hoti ka thënë se vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e personave të zhdukur, duke shpresuar në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira.
Kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviq ka qenë i pranishëm sot në Bruksel, dhe Andin Hoti thotë se prania e Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dështimin e takimit, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit.