Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, duke shënuar herën e 33-të që legjislatura e nëntë nuk arrin të konstituohet.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nisi mbledhjen me kërkesën për emrat e komisionit, por PDK, LDK dhe AAK nuk i dhanë ato. Më pas u hodh në votim komisioni, i cili mori vetëm 51 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim.
Për shkak të mungesës së konsensusit, seanca u ndërpre dhe do të vazhdojë më 19 qershor në orën 10:00.
Derisa Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk kanë arritur të sigurojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dështimet vazhdojnë. Albulena Haxhiu ka dështuar gjashtë herë në garën për kryeparlamentare, ndërsa mbi njëzet herë është bllokuar formimi i komisionit për mbikëqyrjen e procesit të fshehtë të votimit.
Partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe NISMA kundërshtojnë mënyrën e fshehtë të votimit dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar kërkesë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese lidhur me këtë proces.
Sipas rregullores, vazhdimi i seancës konstituive duhet të mbahet çdo dyzetetetë orë derisa të konfirmohet përbërja e re e Kuvendit.