Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet as në përpjekjen e njëzet e shtatë. Tentimi i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit nuk mori përsëri mbështetjen e partive të tjera politike. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 7 qershor në orën 11:00
Pro votimit të Komisionit për votim të fshehtë të kryekuvendarit votuan vetëm 50 deputetë.
“50 deputetë kanë votuar për, kundër asnjë, asnjë abstenim, s’ka kuorum. Takohemi sërish me 7 qershor në ora 11:00”, tha ai kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Në 18 seanca radhazi nuk ka arritur të ketë kuorum për votimin e komisionit për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.
Në anën tjetër, në gjashtë tentimet e para përmes votimit të hapur, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.
Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë tjetër kandidat, pasi sipas tyre, Albulena Haxhiu është emër i papranueshëm./KP