UBT News

​Dështon nisma për largimin e kryetarëve në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nisma për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve.

Në një konferencë për media, Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, ka bërë të ditur se në procesin e sotëm të votimit kanë marrë pjesë vetëm 253 persona.

“23 qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19:00. Sipas të dhënave që kemi pranuar nga komisionit komunale zgjedhore në këto katër komuna numri i qytetarëve që kanë votuar pro apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre. Në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues, nga 13.674 votues apo 0.91%, në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%, në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7.209 pra kemi 0%. Në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18.796 apo 0.59%. Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”, ka thënë Radoniqi.

Ai ka theksuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkundër sfidave, është angazhuar maksimalisht dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të organizuar procesin e votimit në këto komuna, duke dëshmuar përkushtimin e madh që qytetarëve t’iu mundësojë realizimin e të drejtës së tyre demokratike dhe ligjore.

Radoniqi ka falënderuar të gjithë stafin, akterët tjerë institucional dhe vëzhguesit që ndihmuan KQZ-në në organizimin e këtij procesi.

Exit mobile version