Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar mocionin procedural të PDK-së për të përfshirë në rend të ditës debatin parlamentar për krizën energjetike. E njëjta, në seancën e sotme u përkrah edhe nga dy partitë tjera opozitare, LDK dhe AAK, mirëpo u kundërshtua nga partia në pushtet, LVV.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se përmes këtij debati dhe nxjerrjes së një rezolute duhet të parandalojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Përkrahje atij i dha edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Megjithëse e mbështeti, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së tha se nuk i kanë numrat për mocionin procedural dhe as thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.
Mirëpo, deklaroi se në debatin parlamentar për ngritjen e çmimeve mund të vendoset një pikë e veçantë në rezolutën e propozuar për të pamundësuar rritjen e çmimit të energjisë.
“E mbështetim kërkesën e PDK-së, megjithatë ajo që u pa është se GP i LVV-së nuk do ta përkrahë dhe këtë temë nuk i kemi as nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme. Nëse nuk mbështetet nga Kuvendi, ne kemi planifikuar që në debatin për ngritjen e çmimeve, te rezoluta, pika 1 e saj, të vendoset një paragraf ku Kuvendi të kërkojë nga Qeveria dhe ZRRE-ja të anulojë vendimin për ngritjen e çmimeve”, tha ai.
Këtë mocion procedural e konsideroi jo serioze ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
“Në këtë situatë dhe këto rrethana që jemi në konsultime publike që do të zgjasin deri më 28 janar nuk shohim asgjë problematike që ky debat parlamentar të mbahet në periudhën siç është paraparë në rregulloren e Kuvendit”, tha ajo.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti tha se shtrenjtimi i energjisë elektrike është i pashmangshëm dhe se për situatën e krijuar ai ka fajësuar qeveritë e kaluara.