Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të miratojnë në parim Projektligjin për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë.
Mbështetje miratimit të këtij projektligji i dhanë vetëm 59 deputetë nga mazhoranca, ndërsa dy nga tri partitë opozitare kërkuan që i njëjti të rikthehet në qeveri, pasi ka paqartësi në implementimin e tij.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke kërkuar miratimin e këtij projektligji, tha se i njëjti do të lehtësojë dhe do të nxisë ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë.
“Projektligji do të lehtësojë dhe të nxisë ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë. Kjo do të arrihet përmes përdorimit të përbashkët të infrastrukturës fizike ekzistuese, zhvillimit më efikas të infrastrukturës së re fizike dhe reduktimit të procedurave dhe pengesave të tjera burokratike”, tha ajo.
Të rëndësishëm miratimin e tij e konsideroi edhe deputeti i LVV-së, Driton Hyseni.
“Ky projektligj do të lehtësojë dhe nxisë ndërtimin e rrjeteve me shpejtësi të lartë” tha Hyseni.
Kundërshtimin ndaj këtij projektligji paraqiti Ferat Shala nga PDK.
“Projektligji ka shumë të meta, sidomos në fazën e tij të implementimit për shkak të implikimeve ndërinstitucionale dhe ndër sektoriale në pjesën e infrastrukturës, sektorin e ujit dhe kanalizimeve. Nuk mundet të gjejë zbatim një ligj duke llogaritet që mund të kemi disa marrëveshje ndër sekoriale”, deklaroi Shala.
Ani pse tha e LDK e mbështet në parim, deputetja Valentina Bunjaku tha se në mes të dy leximeve duhet të përmirësohen disa pika dhe nene.
Kthimin në tërësi të këtij projektligji në qeveri kërkoi Besnik Tahiri nga AAK.