UBT News

Dështon mbledhja për buxhetin në Prishtinë

Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës, e cila ishte thirrur nga kryetari Përparim Rama, për miratimin e buxhetit për vitin 2026.

Mungesën e kuorumit e konstatoi kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina.

Konstatoj se nuk kemi kuorum për mbajtjen e kësaj mbledhje. Ju falënderoj për pjesëmarrje dhe me kaq e konstatoj të mbyllur këtë seancë,” tha ai.

Përkundër kësaj, fjalën e mori kryetari i Prishtinës, i cili e shfrytëzoi foltoren e Kuvendit Komunal të kryeqytetit për t’i bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, siç tha, “t’ia tregojnë vendin asamblistëve që po sabotojnë miratimin e buxhetit për vitin 2026”.

Po e shihni që opozita në mënyrë destruktive po vazhdon të sabotojë proceset e zhvillimit të kryeqytetit, po vazhdon të jetë bllokuese. Për këtë arsye, ftoj qytetarët e kryeqytetit të reflektojnë që me 12 tetor t’ia tregojnë vendin secilit asamblistë që ka bllokuar dhe vazhdon të sabotojë këtë proces demokratik të transformimit të kryeqytetit. Prandaj, me 12 tetor uroj të kemi një shumicë me të cilën do të vazhdojmë me transformimin e kryeqytetit, siç kemi bërë këto katër vite,” tha ai.

Grupi i asamblistëve të LVV-së më herët ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë mbledhje, derisa kanë arsyetuar vendimin e saj duke thënë se kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka dërguar për votim buxhetin në mënyrë të njëanshme, pa asnjë konsultim paraprak dhe duke i anashkaluar anëtarët e Kuvendit Komunal dhe qytetarët e Prishtinës./D.B/KP

Exit mobile version