Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka dështuar të mbahet të martën për shkak të mungesës së kuorumit.
Këtë e bëri të ditur nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, i cili para gazetarëve foli edhe për Projektligjin për Gjykatën Speciale. Ai tha se vazhdimi i seancës së ndërprerë, ku ishte paraparë shqyrtimi i këtij projektligji, kërkon koordinim dhe dakordim mes partive politike.
“Është çështje komplet jashtë rendit të ditës së Kryesisë. Arsyeja që është ndërprerë seanca ka të bëjë me mungesë të kuorumit dhe realisht kryetarja Haxhiu ka autorizuar që, në koordinim me shefat e grupeve parlamentare, të caktohet një datë kur do të vazhdojë ajo seancë. Mbetet çështje e dakordimit politik, të menaxhuar dhe drejtuar nga kryetarja e Kuvendit”, theksoi Gola.
Ai u pyet edhe për dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gola shprehu keqardhje për procesin gjyqësor që po zhvillohet në këtë institucion, ndërsa bëri të ditur se vendimi i fundit do të trajtohet edhe në kuadër të grupit punues për strategjinë lidhur me ish-krerët e UÇK-së, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
“Shprehim keqardhjen tonë për gjithë procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara. Ne e kemi themeluar një grup punues, në krye të të cilit është zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, dhe shpresojmë që edhe ky vendim të jetë si pjesë shtesë e këtij grupi punues”, tha ai./A.K/
