Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e Kryesisë, pa heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovën. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, po ashtu bëri të ditur se nuk do të ketë as seanca normale dhe për veprimet e ardhshme do të vendosin në mbledhjen e kryesisë së partisë. Në mbledhjen e sotme të kryesisë ka munguar nënkryetari nga LDK, Kujtim Shala, ku në mungesë kuorumi ka dështuar.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila njoftoi se ka dështuar mbledhja e kryesisë, ku tha se në propozimin e rendit të ditës për një seancë të re kanë qenë 18 pika.
“Mbledhja e kryesisë nuk u mbajt në mungesë të kuorumit. Sot mungoi nënkryetari nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk është se kishim ndonjë paralajmërim të mungesës së zotëri Kujtim Shala për këtë mbledhje të kryesisë. Tashmë mbetet që në kompetencë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës të caktohet sipas detyrave që i ka një seancë. A do të caktohet një seancë e re mbetet të shihet pas vendimit dhe njoftimit që bën kabineti i kryetarit të Kuvendit”, tha ajo.
Ajo theksoi se edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca ka bërë kërkesë për të gjitha partitë që të ndajnë punën e politikës dhe Kuvendit.
Tutje, ajo foli për mungesën e opozitës në mbledhjen e kryesisë ku tha se kjo flet për përgjegjësitë që duhet të ushtrojnë të njëjtit.
“Zonja Bogujevci është në pushimin e lehonisë, ajo pritet të kthehet në fund të këtij muaji. Por, megjithatë është edhe një rrethanë tjetër specifike që nuk ka një përfaqësues për anëtar të kryesisë nga ana e Listës Serbe, edhe pse ata nuk kanë qenë të definuar në raport me pozicionin e tyre pozitë-opozitë, ata ishin prezent në qeveri kur ishin vetëm sipas formulës kushtetuese. Përderisa për pjesën tjetër po nënkuptohet, sot ishin tre nënkryetarë të Kuvendit, kryetari Konjufca, nënkryetari Hoxhaj dhe nënkryetari Shabani nga grupi multi-etnik. Përgjegjësitë dhe detyrat e secilit janë të caktuara, ne komunikojmë vazhdimisht, kryetari i Kuvendit mundohet deri në maksimum përtej petkut politik dhe zgjedhjeve të cilat kanë mbaruar me rezultatin të cilin janë parë që të ofrojë shefat e grupeve parlamentare, anëtarët e kryesisë edhe nga opozita që të akomodojë kërkesat dhe të gjejë hapësirën për diskutim”, shtoi shefja e deputetëve të LVV-së.
Teksa theksoi se në mbledhjen e sotme nuk u arrit që të caktohet seanca e ardhshme, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri tha se shumica ka telashe të brendshme.
“Ky Kuvend është i dështuar se tashmë po flasim për një parlament që realisht është i dështuar, që nuk e meriton të vazhdojë as edhe një ditë të vetme, që nuk e meriton të shpenzohet as edhe një cent të vetëm nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, sepse e ka bllokuar komplet agjendën në vend. Qeverisje në vend nuk kemi, gjithçka ka stagnuar, prandaj mendoj që jemi në një gjendje mjaft të mjerueshme si vend të cilën e kemi si rezultat i kësaj qeverisje”, deklaroi ai.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se nuk do të marrin pjesë as në mbledhjet e ardhshme të kryesisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë për shkak të situatës së krijuar lidhur me sanksionet tashmë të konfirmuara nga zëdhënësi i BE-së dhe nga kryeministri i Kosovës. Ne si Grup Parlamentar vlerësojmë se është e dëmshme për Kosovën dhe është e pamundur që të sillemi në mënyrë normale sikur nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj, nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e kryesisë, as në të ardhmen. Dhe për masat dhe veprimet e mëtutjeshme do të merren vendimet në kryesinë e partisë shumë shpejt. Ne jemi para një situate e cila është jashtëzakonisht e rrezikshme për Kosovën dhe e cila realisht cenon vetë ekzistencën e shtetit. Dhe për një situatë të tillë duhet të marrim veprimet e duhura në kohën e duhur”, deklaroi Gashi.
Ai po ashtu paralajmëroi edhe veprime të tjera, të cilat do të vendosen në mbledhjen e kryesisë së partisë.
“Nuk do të ketë seanca normale dhe nuk do të ketë kuvend normal pa u hequr sanksionet ndaj Kosovës. Për veprimet dhe masat tjera do të vendosen në mbledhjen e kryesisë së partisë”, përfundoi ai.