UBT News

Dështon mbledhja e Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së

Në mungesë të kuorumit e pas shumë debatesh ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Komisioni nuk ka arritur që të shqyrtojë as listën e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Bordit të RTK-së.

Me këtë rast deputetët nuk kanë rënë dakord për caktimin e datës së intervistimit për anëtarët e Bordit të RTK-së.

Kryetari i Komisionit, Armend Zemaj ka thënë se nga e hëna do të fillojë intervistimi i kandidatëve.

“Prej të hënës në mëngjes, në ora 09:00 të përgatiten, do të fillojë intervistimi i kandidatëve. Do të shkojmë me formën e intervistimit me gojë, e di që ka me pas zgjatje dhe na duhet kohë një javë, për minutazhin do të dakordohemi”, deklaroi ai.

Deputeti i VV-së Armend Muja ka propozuar që dita e premte të jetë ditë intervistimi, pasi që sipas tij, e hëna është shumë afër dhe nuk ka nevojë për nguti.

“Duhet të dakordohemi për mënyrën e intervistimit, jo të gjithë anëtarët janë prezent se për shkak të agjendës”, deklaroi ai.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka kërkuar që mazhoranca ta krijojë shumicën.

“Nëse nuk është opsion se e hëna, komisionet nuk shtyhen sepse anëtarët e tjerë që i bien ligjet në kuvend, të sigurohet mazhoranca dhe të jenë edhe deputetët këtu, nëse mundemi me filluar prej të hënës i lëmë pesë ditë angazhim”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Pas këtyre mospajtimeve, e para që ka dalë nga mbledhja e Komisionit, ka qenë deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi, duke pamundësuar edhe kuorumin.

Exit mobile version