Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të dyzetekatërtën herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Më 9 korrik, ligjbërësit refuzuan sërish që ta formonin një komision të propozuar për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, të mërkurën, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Ato pretendojnë se është jokushtetuese kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje – e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhje – që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, ndërsa LVV-ja ngulmon se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.
Seanca konstituive do të vazhdojë të premten e 11 korrikut.