Edhe vazhdimi i 37-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës përfundoi pa sukses. Lëvizja Vetëvendosje bëri sërish përpjekje për krijimin e një komisioni ad-hoc që do të mundësonte votimin e fshehtë, por pa arritur konsensus mes partive politike.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje partive opozitare – PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Listës Serbe – që të propozojnë kandidatët e tyre për përbërjen e komisionit. Megjithatë, këto subjekte nuk pranuan të marrin pjesë në këtë proces dhe refuzuan të votojnë.
Nga 92 deputetët e pranishëm në sallë, 52 votuan për formimin e komisionit, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.
Përballë mungesës së përkrahjes së gjerë parlamentare, Dehari vendosi që seanca të ndërpritet. Ai njoftoi se vazhdimi i saj do të mbahet më 22 korrik, në orën 11:00.