UBT News

Dështoi edhe tentimi i 42-të, Kuvendi ende pa kryeparlamentar

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën të zgjedhin kryetarin e parlamentit edhe në tentimin e 42-të. Në këtë votim, vetëm 39 deputetë votuan pro krijimit të një komisioni që do të shqyrtojë mundësinë e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Seanca u mbyll dhe pritet të vazhdojë pas dy ditësh.

Ndryshe nga herët e kaluara, votimi u zhvillua në një seancë që u mbajt në mbrëmje, pasi ajo e planifikuar për paraditen e së shtunës u shty për shkak të një alarmi të rremë për bombë në ndërtesën e Kuvendit.

Gjatë seancës, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu fjalimet e deputeteve Ganimete Musliu nga PDK-ja dhe Jehona Lushaku nga LDK-ja, të cilat kërkonin rikthim të votimit në formë të hapur.

Që nga 15 prilli, deputetët janë mbledhur çdo dy ditë për të konstituar Kuvendin, por pa sukses. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi fillimisht Albulena Haxhiun për kryetare, por ajo nuk mori shumicën e votave. Më pas, VV-ja kërkoi ndryshim të mënyrës së votimit duke kaluar në votim të fshehtë.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese urdhëroi që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve. Megjithatë, interpretimi i këtij vendimi ka qenë i ndryshëm mes LVV-së dhe partive tjera. VV-ja argumenton se Kushtetuesja lejon ndryshimin e mënyrës së votimit, ndërsa partitë tjera kundërshtojnë këtë qëndrim.

Pas këtyre zhvillimeve, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike i kanë drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarime të mëtejshme.

Exit mobile version