Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, akuzoi Qeverinë Kurti se në secilin sektor që ka prekur ka sjellë krizë në Kosovë.
Në seancën e jashtëzakonshme, Tahiri tha se ekzekutivi ka mungesë guximi për t’u përballur me vetveten, derisa u shpreh i shqetësuar, siç tha ai, për qasjen arbitrare të shumicës parlamentare në Kuvend.
“Kudo në secilin sektor që ky kryeministër dhe kjo qeveri ka prekur aty ka qenë dështim. Veç mendoni pak, prekni kokën prej temave më të thjeshta që lidhen me ligjet bazike si ato të pagave dhe pagës minimale, të ekonomisë, zhvillimit, raportet me partnerët ndërkombëtar, sovranitetit, veriun, pra kudo që kanë prek kanë krijuar kriza. Prej një krize kanë krijuar dhjetë të tilla”, tha ai.
Sipas tij, është keq për vendin që nuk mundën të debatojnë sot në Kuvend për mungesën e sigurimit të librave shkollorë për shkak të mungesës së deputetëve të pushtetit.
“Për neve si opozitë është shqetësuese që në tempullin e demokracisë ku jemi të zgjedhur nga populli nuk mundemi të debatojmë për një temë shumë serioze. T’i paçi argumentet në anën e juaj mirë ua pranojnë, por argumentet, i madh dhe i vogël, në këtë shoqëri të Kosovës e dinë se janë në anën tonë, pasi sot i keni lënë fëmijët dhe prindërit në një qorr-sokak”, theksoi ai.
Kuvendi sot dështoi të mbajë seancën e jashtëzakonshme të iniciuar nga opozita për të debatuar, siç kanë thënë për dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.
Kjo pasi nuk pati kuorum në mungesë të deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.