UBT News

​Dështimi i formimit të qeverisë, Krasniqi ka këtë kërkesë për Vjosa Osmanin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se presidentja Vjosa Osmani duhet që sa më parë të shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Pas dështimit të formimit të Qeverisë Konjufca, ai tha para mediave se nuk ka kohë për t’u humbur dhe se vendi ka nevojë për institucione legjitime dhe funksionale.

Pas këtij dështimi të paralajmëruar e pas kësaj blerjeje kohë të panevojshme të 15 ditëshit të fundit me kinse mandatarin e dytë Konjufca, presidentja e Republikës e ka obligim që sa më parë ta shpall datën e zgjedhjeve që të mos humbet kohë e vlefshme edhe më tej sepse qytetarët kanë nevojë për institucione legjitime dhe funksionale. Edhe propagandimi i të pavërtetave të shumta që u tentua të bëhet sot me seancën e parë, nuk pinë ujë. Kosova nuk është duke i rrezikuar as fondet e Bashkimit Evropian me mos votimin e sotëm, as nuk e ka rrezikuar kreditë e Bankës Botërore me mos votimin e sotëm, e as qytetarët e Kosovës nuk mbesin pa pagat e tyre në vitin e ardhshëm për mos votimin e buxhetit të sotëm. Në fakt ajo që ka mundur të ndodhte sot me votimin e atyre pikave do të ishte një përligjje e mentalitetit anti-kushtetutes, një përligjje e qasjes e cila nuk mërzitet për ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, deklaroi ai.

Ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi thekson se “mentaliteti bllokues i Albin Kurtit e ka sjellë Kosovën në këtë situatë”.

Kanë kaluar mbi nëntë muaj që qytetarët e Kosovës kanë folur me votën e tyre dhe i patën thënë një jo të madhe të ashtuquajturit referendum të Albin Kurtit, duke i thënë jo po ashtu mentalitetit të qeverisjes një partiake e autokratike. Po ashtu kanë kaluar më shumë se shtatë muaj kur jemi mbledhur si të zgjedhurit e popullit këtu në Kuvendin e Kosovës për të konstituuar Kuvendin e Kosovës dhe për t’i dhënë përsëri qytetarëve institucione legjitime. Asnjëra nga këto nuk ka ndodhur. Më vjen keq që për herë të parë këtu para jush, qysh më 27 prill, apo ndoshta më 23 prill që ky ngërç do të vazhdojë nëse nuk tërhiqet zotëri Kurti nga mentaliteti i tij bllokues dhe përfundimi do të jetë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Kam kërkuar qysh atëherë që këto zgjedhje të mbahen më herët, në qershor në mënyrë që qytetarët ta thonë fjalën e tyre edhe herë për të dhënë drejtimin që ata e kërkojnë. Kjo nuk ka ndodhur, sepse ky mentalitetit bllokues i LVV-së dhe i zotëri Kurti e ka sjellur Kosovën pikërisht në këtë situatë”, tha ai.

Kabineti qeveritar i prezantuar nga mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca mori vetëm 56 vota. Ai dështoi të formojë qeverinë e re, kështu vendi do të mbajë zgjedhje sërish.

Pro qeverisë Konjufca votuan vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo, Alternativa, si dhe tetë deputetë të komuniteteve jo shumicë.

Ndërkaq kundër votuan 53 deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së, Listës Serbe, kurse tre deputetët e Nisma Socialdemokrate abstenuan./KP

Exit mobile version