UBT News

Dështimi i “durimit strategjik” të Iranit: Ajo që pason mund të jetë shumë më e keqe

Taktika e durimit strategjik të Iranit ka dështuar dhe ajo që pritet të ndodhë në vijim mund të jetë dukshëm më e rëndë. Vetëpërmbajtja nuk arriti ta parandalonte luftën, andaj lidershipi i ri iranian mund të kërkojë tani një qasje shumë më të rrezikshme për të ndërtuar mbrojtjen e tij parandaluese.

Për vite me radhë, udhëheqësit e Iranit besuan se koha ishte në anën e tyre. Pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e njohur si JCPOA, Teherani adaptoi atë që më vonë u përshkrua si qasja e “durimit strategjik”. Në vend të një përshkallëzimi të menjëhershëm, Irani zgjodhi të duronte presionin ekonomik, duke pritur nëse diplomacia mund të ringjallej. Logjika pas kësaj strategjie ishte e thjeshtë: herët a vonë, Uashingtoni do ta kuptonte se konfrontimi me Iranin ishte kundër interesave të veta. Sot, ky supozim është thërrmuar tërësisht.

Kolapsi i diplomacisë dhe shpërthimi i luftës e kanë detyruar lidershipin iranian të përballet me një realitet të dhimbshëm: besimi i tyre se SHBA-ja në fund do të vepronte në mënyrë racionale, mund të ketë qenë një llogaritje krejtësisht e gabuar.

Nëse Irani i mbijeton konfliktit aktual, mësimet që udhëheqësit e tij do të nxjerrin nga ky moment, mund t’i nxisin ata drejt krijimit të një mbrojtjeje parandaluese bërthamore. Pas tërheqjes së administratës së parë Trump nga marrëveshja bërthamore dhe nisjes së fushatës së “presionit maksimal” në vitin 2018, Teherani fillimisht shmangu përshkallëzimin e madh.

Për gati një vit, ai qëndroi kryesisht brenda kufijve të marrëveshjes, me shpresën se nënshkruesit e tjerë, veçanërisht evropianët, do ta ruanin akordin dhe do të ofronin përfitimet ekonomike të premtuara pavarësisht sanksioneve amerikane.

Kur kjo dështoi, Teherani nisi rritjen graduale të aktiviteteve bërthamore, duke zgjeruar pasurimin dhe duke reduktuar zbatimin e marrëveshjes hap pas hapi, por gjithashtu duke shmangur një shkëputje përfundimtare.

Ky ritëm u përshpejtua pasi parlamenti iranian miratoi një ligj për rritjen e aktiviteteve bërthamore pas vrasjes së shkencëtarit Mohsen Fakhrizadeh, trend që u përforcua me zgjedhjen e presidentit konservator Ebrahim Raisi në vitin 2021.

Synimi përfundimtar ishte rindërtimi i fuqisë negociuese, pasi Teherani besonte se trendet gjeopolitike po zhvendoseshin në favor të tij. Nga perspektiva e tyre, rritja e Kinës, ashpërsimi i Rusisë dhe çarjet brenda aleancës perëndimore sugjeronin se aftësia e Uashingtonit për të izoluar Iranin do të dobësohej me kohën. Paralelisht, Irani ndoqi një strategji të uljes së tensioneve me fqinjët, duke përmirësuar marrëdhëniet me shtetet e Gjirit, gjë që kulmoi me afrimin saudito-iranian të ndërmjetësuar nga Kina në vitin 2023.

Megjithatë, sulmi i përbashkët SHBA-Izrael mbi Iranin ekspozoi se sa i gabuar ishte supozimi se Uashingtoni preferonte stabilitetin përballë luftës.

Në anën tjetër, edhe Uashingtoni po e lexon gabim situatën. Për vite me radhë, mbështetësit e presionit maksimal pretenduan se sanksionet do ta thyenin Iranin nga brenda ose do të shkaktonin kolapsin e regjimit, por deri më tani asgjë nga këto nuk ka ndodhur.

Përkundrazi, baza politike e Iranit është mobilizuar përballë sulmeve të jashtme. Për më tepër, Irani ka shpenzuar vite duke forcuar kapacitetet parandaluese, përfshirë raketat balistike dhe dronët e sofistikuar, të cilët tashmë po shkaktojnë dëme të konsiderueshme te kundërshtarët dhe po varfërojnë sistemet e mbrojtjes raketore të SHBA-së dhe Izraelit.

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka sjellë trazira në tregjet globale të energjisë, por pasoja më e rëndë e sulmit amerikan mund të jetë ndryshimi radikal i strategjisë iraniane.

Vrasja e Liderit Suprem Ali Khamenei në ditën e parë të luftës mund të shërbejë si motiv për lidershipin e ri që të rishikojë strategjinë bërthamore. Pa pengesat ideologjike të së kaluarës, logjika është e thjeshtë: nëse diplomacia nuk sjell heqje sanksionesh apo largim të kërcënimit të luftës, armët bërthamore mbeten alternativa e vetme.

Emërimi i Mojtaba Khameneit, djalit të ish-liderit, tregon për një udhëheqje që po braktis kufizimet e mëparshme. Nëse ky mentalitet i ri zë rrënjë, Lindja e Mesme mund të hyjë në një epokë shumë më të rrezikshme, ku armët bërthamore shihen si mbrojtja e fundit dhe ku përhapja e tyre nuk mund të ndalet më.

Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet editoriale të Al Jazeera-s.

Opinon: Sina Toossi- Bashkëpunëtor i lartë i jashtëm në Qendrën për Politikë Ndërkombëtare (Center for International Policy)

Exit mobile version