Seanca e 34-të me radhë e Kuvendit të Kosovës, e cila synonte të zgjidhte ngërçin institucional përmes krijimit të një komisioni ad-hoc për votimin e fshehtë, ka dështuar sërish.
Përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e komisionit nuk gjeti mbështetje nga partitë opozitare. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të propozojnë kandidatët për komision, por asnjëra prej tyre nuk e pranoi ftesën dhe nuk morën pjesë në procesin e votimit.
Në votim morën pjesë vetëm 52 deputetë: 51 votuan për, 1 kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.
Pas kësaj, Dehari njoftoi ndërprerjen e seancës dhe caktimin e datës së re për vazhdimin e saj – të premten, më 21 qershor, në orën 10:30.