Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas dështimit të 19-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar partitë opozitare për bllokimin e procesit.
Ajo tha se këto parti po refuzojnë të marrin pjesë në votimin për Komisionin për votim të fshehtë, i cili është i nevojshëm për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
“Këto votimet e fundit janë votime të cilat nuk ka pjesëmarrje të përfaqësuesve të partive opozitare. Në situatën aktuale, e kemi të paqartë se cila është kërkesa e opozitës. Cili është qëllimi i opozitës. Në rrethanën në të cilën jemi, është një situatë ku bllokuesit e vetëm janë partitë që nuk marrin pjesë në votim. Në rast se duan të bëjnë Qeverinë ose të jenë pjesë e një qeverie të partive opozitare të deritashme, atë nuk mund ta kenë pa u votuar Kuvendi, nënkryetarët dhe pa u konstituar Kuvendi. Në disa mediume është komentuar kërkesa për të takuar një herë në javë në seancë nga zotëri Dehari, kjo ishte vetëm referencë që të sqarohej çështja e kësaj procedure të votimit. Nuk është që kemi hezituar të vijmë çdo 48 orë por kemi propozuar për shkak se nuk ka lëvizje të qëndrimeve të tyre“, ka shtuar Kusari-Lila.