UBT News

Dëshpërim, dashuri, tradhti, pastaj vdekja… Një ditar lufte në Ukrainë

Kiev – Volodimir Vakulenko jetonte në fshatin ukrainas Kapitolivka pranë Iziumit, me djalin e tij 14-vjeçar që vuante nga autizmi. Ai u rrëmbye nga rusët në muajit mars, që në javët e para pas pushtimit. Për muaj të tërë, familja e tij, hetuesit, kolegët e tij shkrimtarë, gazetarët dhe vullnetarët e kërkuan pa rezultat.

Volodimir tregoi në ditarin e tij, që u gjet më vonë, javët e para të pushtimit rus në rajonin Izium në Ukrainën Lindore. Media me seli në Kiev, Livy Bereg, hedh një vështrim pas në jetën e Volodimir dhe boton fragmente nga ditari i tij, origjinali i të cilit tani ruhet në Muzeun Letrar të Harkiv.

Ditari i tij tregon historinë e një civili, faji i vetëm i të cilit ishte përkushtimi i vazhdueshëm ndaj vendit të tij. Volodimir kishte mbajtur për herë të fundit një armë në duar që në rininë e tij, ndërsa shërbente në ushtrinë sovjetike. Ai u rrah keqazi 2 herë në atë kohë, gjë që e kishte lënë me aftësi të kufizuara gjatë gjithë jetës:probleme me shtyllën kurrizore dhe dëgjimin.

Volodimir pësoi një tjetër lëndim, këtë herë në kokë, gjatë revolucionit demokratik të Ukrainës në vitin 2014, dhe kjo ishte arsyeja pse ai nuk shërbeu në ushtrinë ukrainase. Në vend të kësaj, ai vazhdoi punën e tij me shkrime dhe si vullnetar.

“Vullnetarizmi im nisi shumë kohë përpara këtyre ngjarjeve. Por ishte ndryshe, si për shembull ndihma ndaj personave me aftësi të kufizuara, e cila nuk u ndal për shumë vite… Megjithatë, luftimet mbërritën edhe këtu në vendlindje, si një nepërkë e zemëruar që zvarritet gjithnjë e më pranë”, shkruan ai në ditar.

Volodimir e rriti i vetëm djalin e tij 14-vjeçar Vitalik. Ai  ka një formë komplekse të një çrregullimi autik. Nuk flet dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Nëna e tij, Irina Novicka, humbi aftësinë për të ecur 3 vite pas lindjes së birit. Ndaj pas divorcit, familja vendosi që djali të qëndronte me babain e tij.

Volodimir nuk i pëlqente ta linte vetëm të birin, qoftë edhe për një minutë. Ndaj ai e merrte kudo me vete, madje edhe kur filloi të ndihmonte ushtarët ukrainas në postblloqe. Çdo ditë ata ecnin së bashku për 5-20 kilometra. Si shumë të tjerë ai mblidhte para për të ndihmuar ushtarët përmes rrjeteve sociale.

Ndonjëherë, dikush në supermarket i afrohej duke i kërkuar që ti jepte nga ana e tij ushtarëve një “paketë të mirash”, siç e quan ai në ditarin e tij. Vështirësia më e madhe nën pushtimin rus ishte mungesa e komunikimit dhe e informimit mbi situatën në vend.

Ai shkruan në ditarin e tij: “Kryetari iu fsheh përgjegjësive. Nuk mbante fare kontakte me qytetarët, dhe ne nuk e dinim nëse qyteti rezistonte ende, apo ishte pushtuar nga armiku. Nuk kishte absolutisht asnjë lajm, një mungesë e plotë komunikimi për të na sqaruar disi se çfarë po ndodhte në fshatin tonë. Ndërkohë nëpër rrugë shihnim shumë pushtues. Postblloqet e tyre ishin çdo 100 metra. Ata na kontrollonin vazhdimisht, madje edhe çantat bosh. Nervat e mia nuk mund të duronin një poshtërim të tillë”.

Gjëja e dytë më e vështirë ishte se si të siguronte stabilitetin e një adoleshenti me një sistem nervor jashtëzakonisht të ndjeshëm, dhe t’i shpjegonte atij se çfarë po ndodhte. Nëna e Volodimir, Olena, thotë se gjatë 2 javëve të para të pushtimit, ajo i kërkoi vazhdimisht djalit të saj të largohej bashkë me nipin e saj, por ai u përgjigj se do të qëndronte që të ndihmonte njerëzit, por edhe të kujdesej për babain e tij, që pak kohë më parë kishte pësuar një goditje në tru.

Pastaj ishte shumë vonë. Ndërsa kujdesej për djalin dhe babanë e tij, Volodimir vazhdoi të angazhohej si vullnetar.

“Çdo lloj heroizmi, si ndalimi i një autoblinde duke i dalë para në rrugë, ndodh në qytetet e mëdha. Ne jemi një fshat i vogël, ku maksimumi që mund të bëhet është të mblidhen vetëm njerëzit patriotë, jo më shumë se 2-3 veta. Unë e dija prej kohësh këtë gjë, ndaj jetoja si një vetmitar. Gjithmonë e dija se herët a vonë do të tradhtohesha. Dhe siç doli më vonë, midis nesh kishte shumë informatorë të armikut”, vijon më tej në ditarin e tij.

Olena thotë se djali i saj ishte shumë patriot, dhe ndoshta tepër i guximshëm. Ai i bindi bashkëfshatarët të flisnin ukrainisht, dhe të mos i besonin atyre që dëgjonin në televizionet ruse. Gruaja thotë se dikush nga fshati e denoncoi tek pushtuesit. Në fillim, rusët e ndaluan në rrugë, e kontrolluan, duke kërkuar edhe çantat bosh.

Më 22 mars, pesë ushtarë rusë mbërritën në oborrin e shtëpisë së babait të Volodimir dhe pyetën:”Ku është ai nacionalisti juaj?”. Ata morën “për inspektim” telefona, dokumente dhe libra në gjuhën ukrainase. Të nesërmen, e arrestuan Volodimirin dhe djalin e tij. I detyruan të zhvishen dhe të tregonin nëse kishin tatuazhe.

Atë mbrëmje, Volodimir dhe i biri u liruan. Rusët i thanë se do t’ia kthenin dokumentet të nesërmen, por sigurisht që nuk e bënë këtë. Herën e dytë që e ndaluan shkrimtarin ishte më 24 mars. Por këtë herë ai nuk u kthye më në shtëpi. “Dokumentet u gjetën më vonë, më 12 maj, në një çantë së bashku me trupin e tij të pajetë”- thotë ish-gruaja e Volodimir, Irina Novicka.

Gjithsesi para të kapej, ai e fshehu ditarin e tij nën një pemë qershie në oborr. Olena e kërkoi të birin për muaj të tërë. Ajo trokiti në çdo derë të administratës së pushtuesve dhe të ashtuquajturave “militsiya”. Në fillim i thanë “Mos u shqetëso, ne do ta lëmë të lirë, nuk jemi nazistë”.

Më pas e gënjyen duke i thënë se nuk kishin informacion, por se po e kërkonin. “Kur shkova sërish tek komandanti rus, ai nuk ktheu fare kokën nga unë. Pa diku mbi kokën time, tek muri:Po punojmë. Jemi duke e kërkuar. Aty e kuptova se të gjithë e dinin se ku ishte dhe çfarë i ndodhi. Ata thjesht po më gënjenin”- shprehet Olena.

Më pas në vjeshtë bota do të zbulonte se në Izuium kishte pasur 12 dhoma torturash. Ndërsa kërkonte Volodimirin, familja u përpoq të mbijetonte. Në qytet nuk kishte thuajse fare ushqim që nga fillimi i pushtimit. Vitalik ishte 3 herë në prag të vdekjes, por për fat të mirë mbijetoi.

Shkrimtarë të tjerë mësuan mbi rrëmbimin e Volodimir më 10 prill, kur ish-gruaja e tij Irina Novicka shkroi për të në Facebook. Që atëherë dhe deri në çlirimin e territoreve të pushtuara të rajonit të Harkiv në shtator, askush nuk kishte asnjë kontakt me të afërmit e Volodimirit në Kapitolivka.

Ata as që e dinin se pushtuesit e kishin liruar menjëherë Vitalikun. Aktivistët e të drejtave të njeriut mundën të flisnin për rastin e Volodimir në platformat ndërkombëtare, por nuk kishte asnjë mënyrë për të kontrolluar faktet dhe për të mbledhur prova. Pas çlirimit të rajonit të Iziumit, u gjetën dhe rihapën varrezat masive.

Sipas librit të të dhënave të shërbimit funeral të Iziumit, trupi i Volodimir Vakulenko ndodhet në varrin nr. 319. Olena, që gajtë gjithë asaj kohe jetoi me shpresë, thotë se në atë moment  zemra e saj gati sa nuk i plasi nga dhimbja. Në trupin e tij u gjetën 2 plumba nga një pistoletë.

Kishte më shumë se një muaj në rrugë.

Olena nuk e di nëse Vitalik e kupton që babai i tij ka vdekur. Ajo thotë:”Unë ende nuk e di  se si t’ia shpjegoj. Por kur flasim për Volodimirin, ai bëhet shumë nervoz”. Në hyrjen e ditarit të Volodimir shkruhet: “Në fillim ëndërroja numra, kalendarë të vjetër, miqtë dhe djemtë e mi (ushtarët ukrainas), sikur po i përqafoja, i takoja. Frikësohem të mendoj se çfarë ka ndodhur me ta. Në ditët e para të pushtimit gati u dorëzova për shkak të urisë. Tani e kam mbledhur veten, madje kam punuar pak në kopsht dhe kam sjellë patate në shtëpi. Zogjtë cicërojnë vetëm në mëngjes… Më në fund, në mbrëmje më shpëton muzika në celular. Edhe sot, në Ditën e Poezisë, një tufë e vogël zogjsh më uruan nga qielli. M’u duk sikur më thanë:”Gjithçka do të jetë Ukrainë ! Unë besoj tek fitorja!”./WorldCrunch – Bota.al

Exit mobile version