Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur dëgjimi i dëshmitares së parë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Zenka Pumper është dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe ajo është koordinatore e hetimit në këtë zyrë.
Zenka Pumper ka thënë se është pjesë e ZPS-së prej vitit 2016 dhe puna e saj është të intervistojë dëshmitarë, analizojë prova, të shkruar raporte dhe të përgatisë plane të punës.
Sipas saj janë tri pako të sekuestruara nga OVL-UÇK.
“Në deklaratat e mija unë i jam referuar paketave të ndryshme të informacionit të cilat janë sekuestruar nga OVL-UÇK, dhe paketa një është paketa e cila është sekuestruar më datë 7 shtator dhe në datën 8 paketa katër na u dha neve nga media, nga organi mediatik dhe kjo u pasua nga sekuestrimi i dytë dhe kam përshtypjen që bëhet fjalë për datën 17 dhe në fakt paketa e dytë u ndoq nga sekuestrimi i paketës së tretë, paketës së fundit i cili u realizua më datë 22”, ka thënë ajo.
Gjykimi po vazhdon me paraqitjen e disa dokumenteve si prova nga ana e prokurorisë por që të njëjtat nuk bëhen të ditura për publikun.
Prokurorja ka pyetur dëshmitaren nëse i ka shkruar dokumentet në fjalë dhe ajo ka konfirmuar që i ka shkruar.
Prokurorja Valeria Bolici: Në bazë të dokumentit që keni përpara a mund të na thoni se cili prej OVL-UCK ja dorëzuar punonjësit të sigurisë së ZPS-së dokumentet që janë sekuestruar me datë 8 shtator 2020?
Dëshmitarja Pumper: Personi që ja dorëzoi ato ishte zotëri Faton Klinaku.
Prokurorja Valeria Bolici: Një formular i dorëzimit është nënshkruarin nga Faton Klinaku me iniciale F.K dhe nga punonjësi i sigurimit me iniciale. A mund të thoni nëse e njihni emrin e marrësit, pa përmendur emrin.
Dëshmitarja Pumer: Marrësi është i njëjti punonjës sigurie i cili ka përpiluar këtë procesverbal dorëzimi.
Gjatë kësaj seance, dëshmitarja ka thënë se ka analizuar e shikuar artikuj të mediave nga burime publike lidhur me çështjen e OVL-UÇK dhe ka shtuar që ka përgatitur deklarata me shkrim lidhur me detyrat që ka kryer në këtë rast.
Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues Charles L. Smith, III ka pyetur Gucatin dhe Haradinajn nëse dëshirojnë të bëjnë ndonjë deklaratë por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë derisa Gucati ka deklaruar se do të deklarohet në një seancë tjetër.
Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.