Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dëshmitari Edmond Nulleshi, të hënën deklaroi se nuk ishte pajtuar me argumentet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), për të mos blerë rrymë nga kompanitë që nuk ishin të licencuara. Por, meqenëse ZRrE-ja kishte autoritet shqiptimin e masave ndëshkuese, u pajtua që të respektohet qëndrimi i saj.
Nulleshi ka qenë në cilësinë e këshilltarit të drejtorit ekzekutiv të shërbimeve të KEK gjatë viteve 2022-2023, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Përkundër faktit se nuk pajtoheshim me argumentet e ZRrE-së, marrë parasysh se ka fuqi ligjore për të marrë masa ndëshkuese, isha pajtuar që të ndërpritet tregtimi me këtë kompani (HSE) dhe të respektohet qëndrimi i ZRrE-së”, tha Nulleshi.
Dëshmitari sqaroi se kontrata për blerje të rrymës me kompaninë sllovene HSE ishte bërë bazuar në parimin e reciprocitetit, pa pasur nevojë për licencë të kësaj kompanie, me arsyetimin se Sllovenia si shtet nuk i kërkon licencat për kompanitë që tregtojnë rrymë.
Më tutje, Nulleshi theksoi se për procesin e licencës janë të parapara dy mënyra- e para që kompanive që tregtojnë rrymë u kërkohet licencam ndërkaq e dyta që në rast se shteti nga vjen kompania tregtuese e rrymës nuk kërkon licencë- zbatohet parimi reciprocitetit, duke mos kërkuar as ne si shtet licencën.
Sipas tij, në rastin konkret kompania HSE që vinte nga Sllovenia, duhej të funksiononte bazuar në parimin e reciprocitetit.
Nulleshi tha se kompanitë KESCO, KEDS, dhe KOSST, kishin zbatuar rekomandimin e ZRrE-së që me këtë kompani të mos tregtonin rrymë, me arsyetimin se nuk kishte licencë.
Ai gjithashtu shtoi se ZRrE-ja e kishte monitoruar një periudhë kohore punën e Korporatës Energjetike të Kosovës, për çka kishte lëshuar rekomandime, për të cilat me qëllim të adresimit të tyre brenda KEK-ut ishte formuar grupi punues.
Nga të gjeturat e grupit punes, Nulleshi tha se është përpiluar një draft-raport që i ishte dorëzuar Zyrës për tarifa dhe Zyrës ligjore, që në kuadër të tij shënohej fjalia se pavarësisht argumenteve të ZRrE-së, të njëjtat duhet të respektohen.
Por, sipas Nulleshit, kur ishte dërguar si dokument nga KEK-u te ZRrE-ja ishte hequr si fjali, e që tha se nuk është i sigurt se kush e ka hequr atë.
Nulleshi deklaroi se sa ishte këshilltar, veprimet i kishte ndërmarrë bazuar në kompetencat ligjore që ka gëzuar. Tha se çmimi i rrymës atëkohë ndërronte brenda ditës dhe se kompania HSE ishte me peshë në tregun e rrymës elektrike.
Lidhur me kompaninë HSE, dëshmitari Nulleshi tha se nga ajo që ka dijeni, është se si kompani ishte agjent për import të energjisë elektrike të KESCO-s.
Pas përfundimit të dëshmisë së Nulleshit, seanca u ndërpre dhe e radhës pritet të vazdojë në janar 2026./BetimipërDrejtësi
