UBT News

Dëshmitari: Thaçi ka punuar krah LDK-së, Veselin nuk e ka njohur askush

Në procesin kundër Thaçit dhe të tjerëve, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka sjellur në Gjykatën Speciale një ish-anëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të cilin ka thënë se ka qenë edhe komandat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për një periudhë të caktuar kohore. Dëshmitari ka deklaruar se Hashim Thaçi kishte punuar krah LDK-së në të mirë të Kosovës, ndërsa për Kadri Veselit ka thënë se “nuk e ka njohur askush”.

Ai është dëshmitari i 24-të dhe po dëshmon nën masa mbrojtëse e seancë të mbyllur për publikun.

Në fillim të seancës, prokuroi James Pace e ka lexuar një përmbledhje të deklaratave të dëshmitarit, ndërsa i gjithë intervistimi është zhvilluar në seancë private.

“Në vitin 1998 dhe 1999, W04255, shqiptar i Kosovës ishte anëtar i LDK dhe i UÇK-së, ka qenë edhe komandant i UÇK-së për një periudhë të caktuar kohore. W04255 mori pjesë në një takim ku Hashim Thaçi u prezantua si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm. Në një takim tjetër ku 0455 ishte i pranishëm, Hashim Thaçi u prezantua si shefi i pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së që ishin të pranishëm”, ka thënë Pace.

Dëshmitari, i cili nga ZPS është prezantuar si shqiptar i Kosovës, është përgjigjur edhe në pyetjet e avokatit të ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe.

Pyetjet e avokatit amerikan janë bërë lidhur me veprimtarinë e dëshmitarit pas luftës, meqë sipas Kehoe, në deklaratat dhënë ZPS-së, dëshmitari ka folur për problematikat që kanë lindur pas luftës.

Avokati Kehoe: A është e vërtetë që nga 2001 deri në 2004 zoti Thaçi si kryetar i PDK-së u bashkua në koalicion me zotin Rugova, kreun e LDK-së, dhe zoti Thaçi u tërhoq pastaj, lejojë Bajram Rexhepin të bëhej kryeministër, a ka ndodhur kështu? Dhe ishte Thaçi ai që e mbështeti Rugovën në Parlamentin e Kosovës që të bëhej president, apo jo?

Dëshmitari: Po, e saktë.

Avokati Kehoe: Dhe në 2004 deri 2007 zoti Thaçi ishte në opozitë me PDK-në dhe pajtohej që të bashkohej me ekipin e Rugovës për të bërë negociatat për statusin e Kosovës, dhe ky grup është kryesuar nga një udhëheqës tjetër i LDK-së, Fatmir Sejdiu, dhe zoti Thaçi punoi me ekipin e zoti Rugova, ndonëse ishte në pozitë apo jo?

Dhe nga 2007 deri në 2010 zoti Thaçi fitoi zgjedhjet parlamentare dhe u bë kryeministër dhe ftoi LDK-në që të bashkohej në koalicion për të formuar qeverinë, dhe Fatmir Sejdiu, personi që përmenda pak më parë nga LDK, u bë president i Kosovës, apo jo?

Dëshmitari: Po.

Avokati Kehoe: 2014 deri 2017, pasi fitoi zgjedhjet, zoti Thaçi e solli LDK-në si pjesë e koalicionit për të formuar Qeverinë dhe ja dha pozitën e kryeministrit udhëheqësit të LDK-së, Isa Mustafës apo jo, dhe ai vet u bë zëvendësi i zotit Mustafa, apo jo?

Dëshmitari ka pohuar se pas luftës, Thaçi kishte punuar krah për krah me LDK-në.

Avokati Kehoe: Në 2016 kur u zgjodh president zoti Thaçi, LDK votoi në favor të tij, pra në tërë këtë periudhë kohore, zoti Thaçi ka punuar krah për krah me ju dhe pjesëtar të tjerë të LDK-së, për të mirë të Kosovës, apo jo?

Pas përfundimit të pyetjeve nga avokati Kehoe, dëshmitari ka filluar të intervistohet nga mbrojtja e Veselit, avokati Ben Emmerson.

Dëshmitari ka konfirmuar deklaratat e dhëna më herët për prokurorinë ku kishte thënë se Kadri Veselin nuk e kishte njohur askush në periudhën 1998-1999.

Emmerson: A e keni njohur Kadri Veselin në vitin 1998-1999- ju jeni përgjigjur: Nuk e ka njohur kurrkush. Pyetje: Gjatë konfliktit ke dëgjuar ndonjëherë për të? Përgjigje: Jo, asnjëherë.

Pas kësaj, Emmerson ka shfaqur në ekranin e gjykatores një hartë, por e njëjta nuk është bërë publike, dhe pyetjet rreth saj janë bërë në seancë private.

Intervistimi i dëshmitarit W04255 nga avokati Emmerosn po vazhdon në seancë të mbyllur për publikun, ndërsa është bërë e ditur se dëshmia e tij do të vazhdojë edhe të mërkurën.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Exit mobile version