UBT News

Dëshmitari kundër Pjetër Shalës pretendon se është mbajtur mbyllur në një dhomë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka thënë se nuk ka qenë anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se kishte lënë Kosovën në prill të vitit 1999 pas presioneve të paramilitarëve serbë. Në pyetjet e prokurorit të specializuar, ai ka pretenduar se ka qenë për më shumë se një muaj i mbyllur në një dhomë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dy orë e gjysmë kohë për të intervistuar këtë dëshmitar. Prokurori i specializuar me fillimin e pyetjeve për dëshmitarin e mbrojtur ka kërkuar që seanca të jetë private. Më pas, dëshmitari që mban numrin 11 është pyetur se kur ishte larguar nga Kosova dhe në cilin vend kishte shkuar.

Prokurori: Zotëri dëshmitar, gjatë luftës a keni qenë ndonjëherë anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Dëshmitari: Jo.

Prokurori: A keni qenë në Kosovë në kohën kur NATO filloi fushatën e vet bombarduese në 1999?

Dëshmitari: Po.

Prokurori: Në Kosovë keni ndenjur deri në fund të luftës, apo jeni larguar në ndonjë çast nga Kosova?

Dëshmitari: Po kam qenë deri më 27 prill në Kosovë, me 27 prill 1999 kam dalë me familje në Shqipëri.

Prokurori: Pa na dhënë ndonjë hollësi që mund të ju identifikonte, a mund t’i tregoni trupit gjykues se përse, çfarë ju shtyu juve dhe familjen të largoheshit nga Kosova në prill të vitit 1999 dhe të shkonit në Shqipëri?

Dëshmitari: Kishim presione prej paramilitarëve serbë, nuk kishim ushqim dhe u detyruam me ik me shpëtua familjen.

Mbrojtja: Ku shkuat në Shqipëri në prill të 1999?

Dëshmitari: Kemi qenë në Kukës.

Prokurori i specializuar ka kërkuar që pyetjet që kanë të bëjnë me hollësitë e vendit ku ka qëndruar dëshmitari, të bëhen në seancë private.

Pas kthimit në seancë të hapur për publikun, janë shfaqur dokumente, por të njëjtat nuk janë transmetuar për publikun. Dëshmitari ka pretenduar se pasi është futur në një veturë është dërguar në fabrikë.

Pyetjet më pas kanë vijuar në transmetim me përmbajtje të redaktuar.

Prokurori: Përpara se të quan në atë dhomë, të bëri ndonjëri ndonjë pyetje?

Dëshmitari: Jo, jo, askush, asnjë pyetje nuk ma ka bërë.

Dëshmitarit të mbrojtur i është kujtuar deklarata që kishte dhënë se ‘pasi ishte dërguar në shtab, kishte qëndruar në një zyrë për 30 minuta’.

“Kjo zyre ka qenë në hyrje të portës, ku më janë marrë lidhëset e këpucëve dhe prej asaj dhome në atë drejtim më kanë dërguar në dhomë, ku kam qëndruar tërë kohën”, ka thënë dëshmitari.

Prokurori e ka pyetur dëshmitarin nëse i është bërë ndonjë pyetje pasi ia morën lidhëset e këpucëve, por ai ka thënë se nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Dëshmitari që mban numrin 11 ka thënë se dhoma ku është mbajtur ka qenë në anën e majtë të portës.

Tutje, dëshmitari pretendoi se në ndërtesën njëkatëshe u mbajt për rreth një muaj.

Prokurori: Për sa kohë qëndruat aty, zotëri dëshmitar?

Dëshmitari: Deri kur është çliruar Kosova, deri në fund kom dalë. Nuk mbaj mend, afër 1 muaj e 10 ditë, apo 1 muaj e pesë ditë, nuk e di”,është përgjigjur dëshmitari.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij, është pyetur nga prokurori edhe se si dukej ajo dhomë.

Dëshmitari: Dhoma ishte me një dritare, diku 4 me 4 apo 4 me 3 e gjysmë, aty pari.

Prokurori: Kjo dera që kur hyje që futeshe në korridor dhe që shkonit tek kjo dhoma në të majtë, dhoma ishte e mbyllur, e kyçur kur futeshe ti në të majtë?

Dëshmitari: Po, dhoma ishte e mbyllur.

Deri aty, dëshmitari në gjykimin kundër Pjetër Shalës tha se ishte shoqëruar nga një person civil.

Prokurori: Kush ju udhëzoi për të shkuar tek kjo ndërtesa, ishit të njëjtit persona që ju kërkuan që t’i ndiqnit dhe të shkoni me ta në kamp apo ishin persona të tjetër.

Dëshmitari: Jo, ka qenë një person civil, i cili më ka udhëzuar më ka quar deri tek dera.

Prokurori: Ti the që të quan, të udhëzuan deri tek dera. A mund të na përshkruani se çfarë pamje kishte ndërtesa brenda, pasi u fute te dera, si dukej? Kjo dhoma ishte në të majtë, ishte drejtë sapo futeshe apo ishte në të djathtë të korridorit?

Dëshmitari: Si hyra në korridor, derën në të majtë e kam pasur”,tha dëshmitari.

Prokuroria ka vazhduar të shfaq fotografi të një ndërtese, për çka është pyetur dëshmitari nëse i kujtohet. Këto pamje nuk janë shfaqur për publikun.

Seanca me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë do të vazhdojë dhe pasdite. Pjetër Shala po e ndjek atë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021. Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Exit mobile version