UBT News

Dëshmitari i tetë fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Dëshmitari i tetë me kodin 04323 do të fillojë dëshminë e tij të hënën, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Paraprakisht, nga ana e trupit gjykues janë trajtuar tri çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith bëri të ditur se kanë vendosur që të ndryshojë urdhrin me gojë të 23 marsit me të cilin kishin pranuar një dokument në tërësinë e tij, duke e pranuar tani vetëm në pjesët përkatëse që do të përdor mbrojtja e Veselit.

Kjo është vendosur në bazë të parashtrimeve të mbrojtjes së Veselit, përmbushjes së kritereve të rregullës 154 dhe që nuk ka pasur kundërshtime nga palët.

Çështja e dytë kishte të bënte me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) për riklasifikim të disa dokumenteve.

Gjykatësi pyeti mbrojtjes dhe se askush nuk e kundërshtoi kërkesën për riklasifikim të ZPS-së.

Kurse, lidhur me çështjen e tretë e cila ishte mocioni i ZPS-së për të kufizuar praninë në sallën e gjyqit, trupi gjykues vendosi që mbrojtja të përgjigjet lidhur me këtë më së largu deri në fund të orarit të punës më 15 qershor dhe nëse ZPS ka kundër-përgjigje, këtë ta parashtrojë deri në fund të orarit më 16 qershor.

Seanca po vazhdon në sesion privat. Ndryshe, në seancën e sotme të pranishëm në sallë të gjykimit janë të gjithë të akuzuarit.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Exit mobile version