Në Gjykatën Speciale po vazhdon të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Gjatë intervistimit nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, dëshmitari me kodin W-01236 ka folur për periudhën e luftës kur ai pretendon se ishte ndaluar. Ai ka deklaruar se ende i vuan pasojat e ngjarjeve të luftës, dhe sipas tij, ka marrë edhe trajtim psikologjik për dy vjet në Zvicër.
Laws: Burgosja apo ky ndalimi pati ndonjë efekt psikologjik për ju, çfarë pasojash pati për ty dhe si i përjeton ti në jetën tënde të përditshme, si i kalon këto gjëra?
Dëshmitari: Shumë keq i kam përjetuar, i kam hala mendime të freskëta nuk më hiqen kurrë, më keq, më tmerr nuk ka.
Laws: Për shkak të këtyre vështirësive të është dashur të takosh ndonjë profesionist?
Dëshmitari: Po.
Laws: A të kujtohet kur ka ndodhur, kur ke marr ndihmë mjekësore nga një profesionistë për problemet psikologjike?
Dëshmitari: Kam dalë jashtë shtetit, kam mjekime vazhdimisht.
Laws: A ke takuar ndonjë psikolog, të kujtohet kur ka ndodhur?
Dëshmitari: Në Zvicër atje një dy vite kam shkuar vazhdimisht te psikologu por kujtimet nuk më hiqen i kam vazhdimisht.
Dëshmitari i mbrojtur ndër të tjera ka thënë se me 28 dhe 29 janar të vitit 2020 kishte dhënë deklaratë për ZPS-në.
Intervistimi nga prokurori Nathan Quick është bërë në seancë të mbyllur meqë sipas ZPS-së pyetjet lidheshin me një incident të veçantë përmes së cilit mund të identifikohet dëshmitari.
Ndërsa gjatë paradites ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, i cili sikur pesë të tjerë që dëshmuan në këtë çështje, kishte masa mbrojtëse.
Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.
Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.