UBT News

Dëshmitari i 16-të në rastin e Thaçit dhe të tjerëve dëgjohet në seancë private

Të hënën ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të 16-të në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa me të nisur procesi gjyqësor, dëgjimi i dëshmitarit të 16-të ka kaluar në seancë private.

Gjykatësi në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Charles Smith, ka njoftuar se dëshmia e dëshmitarit të 16-të pritet të zgjasë katër deri në pesë ditë.

Nga 312 dëshmitarë në total, deri më tash janë dëgjuar 15 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa këtë të hënën pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të 16-të.

Seancë do të ketë edhe të martën, të mërkurën e të enjten (15, 16 dhe 17 gusht), për të vazhduar më pastaj edhe më 21, 22, 23, 24 dhe 25 gusht. Seancat e fundit do të mbahen me 28, 29 dhe 30 gusht, duke e çuar në 11 numrin e seancave gjyqësore gjatë këtij muaji.

Të gjithë dëshmitarët janë dëgjuar në seanca private ose me zë të deformuar, përveç dëshmisë së ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa dhe dëshmisë së Francis Ladwidge, oficer i shërbimeve të inteligjencës së Britanisë së Madhe, që gjatë luftës kishte shërbyer në Kosovë.

Krejt çka dihet nga dëshmitë e dëshmitarëve të paraqitur, janë numrat rendorë të cilët tregohen në fillim të seancës dhe pak gjëra të tjera, të cilat i prezanton gjyqtari me të nisur procesi. Trupi gjykues është shprehur i shqetësuar se thuajse të gjitha provat janë dëgjuar në seanca private e me redaktime të shumta.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nisi më 3 prill të këtij viti, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Dhomat e Specializuara kanë shpalosur aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është barazvlerësuar me “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Prokurorët e Specializuar, pasi dështuan fatalisht me raportin e senatorit zviceran me emrin Dick Marty, ku akuzoheshin ish-krerët e UÇK-së për trafikim organesh me qënie njerëzore, thanë se gjatë këtij gjykimi do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Kjo “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, sipas prokurorisë së specializuar, kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”. Ata gjatë këtij gjykimi thanë se do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit kanë shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.

Procesi gjyqësor i nisur në fillim të prillit ka prapa vetes dy vjet e gjysmë zvarritje e shkelje – i cili është kritikuar sidomos për tentim të shmangies nga baza juridike e funksionimit të saj, për fshehje të provave shfajësuese, për redaktime të shumta dhe për bashkëpunim me Serbinë.

Të katër ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish janë deklaruar të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.

UÇK-ja është cilësuar si një ndër guerilet më të suksesshme të shekullit të kaluar, duke marrë parasysh se ajo arriti të realizojë projektin e shtetit të pavarur të Kosovës, porse me nisjen e gjyqit në Hagë, lufta e saj tash rrezikon të delegjitimohet dhe të ndryshojë përgjithmonë perceptimi publik për luftën çlirimtare të Kosovës.

Exit mobile version