Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dhënë detaje rreth rastit të grupit “Albkings”, që shpërndante fotografi dhe ua merrte identitetet qytetarëve të Kosovës.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullaj Gashi, ka bërë të ditur se është mbyllur përfundimisht ky grup dhe deri me tani lidhur me këtë rast, janë arrestuar shtatë persona.
“Ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe t’i arrestojë të gjithë kryerësit e veprës penale të vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve nga neni 277 të Kodit Penal të Kosovës. Andaj, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët e Republikës së Kosovës kemi arritur që këtë rast delikat sa i përket identifikimit të kryerësve të veprës penale, kemi arritur t’i arrestojmë brenda një afati të shkurtër kohor dhe ky rast si i tillë, target i së cilës kanë qenë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke cenuar rëndë integritetin moral të tyre sa i përket shpërndarjes së fotove, video-incizimeve intime të cilat kanë krijuar pasiguri tek qytetarët e Republikës së Kosovës. Sot i kemi diku shtatë persona të cilët i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të vazhdimit edhe të zgjerimit të hetimit edhe për personat tjerë”, ka thënë Gashi në një konferencë për media.
Ndërsa edhe zëvendëskryeprokurorja, Elza Bajrami-Kastrati, e cila ka qenë edhe prokurore e këtij rasti, ka dhënë detaje rreth hetimeve dhe arrestimin e personave përgjegjës.
“Me 14 prill është lëshuar aktvendim për ndalimin e njërit prej administratorëve të AlbKings. I njëjti dyshohet për veprën penale vjedhja e identiteteve dhe kredencialeve. Me 23 prill, është ndaluar edhe personi i dytë i gjinisë femër, e përfshirë në këtë rast, duke qenë njëra nga administratoret e këtij grupi, ka kryer të njëjtën vepër si personi i parë. Me 23 maj, pas hetimeve të vazhdueshme, prokuroria ka arritur të lëshojë aktvendim për ndalimin e personit të tretë, saktësisht administratorit kryesor dhe themeluesit të grupit. Ndaj të njëjtit prokuroria ka parashtruar kërkesë për paraburgim dhe kjo është miratuar nga Gjykata. Me lejoni të theksoj se në saje të bashkëpunimit të Prokurorisë, Policisë dhe qytetarëve kemi arritur t’i identifikojmë dhe arrestojmë shtatë persona të përfshirë në këtë rast penal”, theksoi Bajrami-Kastrati.
Ajo theksoi se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke hetuar edhe në pista tjera këtë rast.