Grupi për Studime Juridike dhe Politike në bashkëpunim me organizatën për ruajtjen e mjedisit “Pishtarët” dhe tre qytetarë nga komuna e Deçanit kanë dërguar të mërkurën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për sa i përket vendimit për lejet ujore dhe mjedisore për Hidrocentralet “Belaja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi II”.
Liridon Salihu, nga Qendra për Rastet Gjyqësore Strategjike, ka thënë se Supremja në shkelje të dispozitave kushtetuese, në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore dhe në kundërshtim me gjendjen faktike ka vlerësuar se procedurat dhe vendimet për lejet ujore dhe mjedisore për këto hidrocentrale janë të ligjshme.
“Organizatat GLPS, Pishtarët dhe tre qytetarë të Deçanit, Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi sot kanë parashtruar Kërkesë për Vlerësimin e Kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës (ARJ. Nr. 212/2023, i datës 5 mars 2024), i cili në shkelje të dispozitave kushtetuese, në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore dhe në kundërshtim me gjendjen faktike ka vlerësuar se procedurat dhe vendimet për lejet ujore dhe mjedisore për Hidrocentralet “Belaja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi II” janë të ligjshme”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se vendimi i Supremes është marrë në kundërshtim me nenet 31, 32, 52 dhe 54 të Kushtetutës.
“Pas shfrytëzimit të të gjitha mjeteve juridike në procedurë administrative dhe në gjykatat e rregullta kundër vendimeve për Hidrocentralet e Deçanit, palët i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të konstatoj se Aktgjykimi i Supremes është marrë në kundërshtim me nenet 31, 32, 52 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kundërshtimi i lejeve përkatëse ujore dhe mjedisore në rastin e njohur si “Rasti i hidrocentraleve të Deçanit,” nuk motivohet nga pikëpamje ideologjike dhe nuk shpërfaqë qëndrim kundër ndërtimit të hidrocentraleve nga kompani private, të huaja apo vendore” ka thënë ai.
Salihu ka thënë se kundërshtimi ynë mbështetet në faktin se lejet ujore dhe mjedisore janë lëshuar në kundërshtim me ligjin dhe se është shpërfillur tërësisht dëmi i pariparueshëm mjedisor
“Por, si OJQ që angazhohemi për mbrojtjen e interesit publik, nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj betejës ligjore të inicuar nga disa banorë të Komunës së Deçanit, për të mos lejuar dëmet mjedisore nga ndërtimi dhe funksionimi i hidrocentraleve që operojnë me leje të marra në kundërshtim me ligjin. Pra, kundërshtimi ynë mbështetet në faktin se lejet ujore dhe mjedisore janë lëshuar në kundërshtim me ligjin dhe se është shpërfillur tërësisht dëmi i pariparueshëm mjedisor”.