Një juri amerikane e ka shpallur ish-zyrtarin policor Derek Chauvin, 45-vjeçar, fajtor për vrasje për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd në rrugët e Mineapolisit, vitin e kaluar.
Chauvin është filmuar duke shtypur Floydin me gju në qafë për më shumë se nëntë minuta gjatë arrestimit të tij, në majin e vitit 2020.
Pamjet e shpërndara gjerësisht kanë nxitur protesta kundër racizmit në mbarë botën dhe kundër përdorimit të tepërt të dhunës nga ana e policisë.
Chauvin është shpallur fajtor për tri akuza: vrasje e shkallës së dytë, vrasje e shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim.
Ai do të mbesë në mbajtje, derisa të dënohet dhe mund të kalojë dekada në burg.
Jurisë prej 12 anëtarëve i është dashur më pak se një ditë për të marrë vendimin, i cili ka ardhur pas tri javëve të gjyqit në Mineapolis.
Pasi të dyja palët kanë prezantuar argumentet të hënën e kësaj jave, juria është izoluar në një dhomë të hotelit pa kontakt të jashtëm, ashtu qe të mund të merrte vendim të matur.
Anëtarët e jurisë është dashur të pajtohen në mënyrë unanime dhe ata nuk kanë mundur të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, derisa kanë marrë vendimin.
Ky vendim është pritur me skena feste jashtë gjykatës, ku qindra persona kanë festuar kur kanë marrë vesh lajmin.
Avokati i familjes së Floydit, Ben Crump, ka thënë se ky vendim përbën “pikë kthese në historinë” e Shteteve të Bashkuara.
“Drejtësia e fituar me dhimbje është arritur më në fund”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe nënpresidentja amerikane Kamala Harris, kanë telefonuar familjen e Floydit pak pas vendimit.
Biden është dëgjuar të ketë thënë se “fundja, ka pak drejtësi”.
“Ne do të punojmë edhe më shumë. Ky do të jetë hapi i parë në të përballurit me racizmin sistematik”, ka thënë presidenti.
Ndërkohë, në një deklaratë televizive, Biden ka thënë se “racizmi sistematik është njollë në shpirtin e kombit”.
Harris u ka bërë thirrje ligjvënësve që të miratojnë projektligjin George Floyd, që synon të reformojë politikat për policinë në SHBA.
“Ky projektligj është pjesë e trashëgimisë së George Flodyit. Kjo punë është vonuar shumë”, ka thënë ajo.
Policia federale në Mineapolis, organizatë jofitimprurëse që përfaqëson policinë – ka falënderuar jurinë për “punën e dedikuar”, që sipas saj ka qenë e përkushtuar dhe ka pasur “barrë të madhe”.
“Ne duam t’i shprehim komunitetit dhimbjen e madhe që kemi, dhe të cilën e ndjejmë çdo ditë. Nuk ka fitues në këtë rast dhe ne respektojnë vendimin e jurisë”, ka thënë federata.
Chauvin pritet të apelojë vendimin kundër tij, kanë thënë mediat amerikane.
Një nga arsyet që mund të jepen në apelim është se rastit i është dhënë shumë vëmendje dhe se sipas ekipit të mbrojtjes, kjo mund ta ketë ndikuar vendimin e jurisë.