Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha ka deklaruar se sporti i xhudos ka marrë mbështetjen më të madhe në Kosovë, kur Memli Krasniqi ka udhëhequr me MKRS-në.
Gjatës seancës së sotme plenare, në deklarimet jashtë rendit të ditës, deputetja opozitare tha se gratë e arta nderuan Kosovën në lojërat olimpike në Tokio të Japonisë.
“’Lufto si vajzë, lufto si grua’. Kjo është thënia që nisi të qarkullojë kur Majlinda Kelmendi i solli Kosovës medaljen e parë Kosovës. Pasuan edhe medalje të tjera dhe këto ishin momente kur po Kosovën po flitej edhe në mediat ndërkombëtare. Gjithçka kishte nisur nga ëndrra e mbetur pengë e një djaloshi si Toni Kuka, i cili vazhdonte të besonte të pamundurën. Ndërkohë, shteti i Kosovës u ri zgjua dhe bashkë me Ministrinë e Kulturës të udhëhequr atë kohë nga Memli Krasniqi ndërmori hapat e parë konkret për ndërkombëtarizimin e sportit dhe përkrahjen e medalistëve. Andaj sot, Kosova gëzon skemën më të lartë të sportistëve që i sjellin medalje shtetit të tij. Sot, kur po flasim ekipi i Kosovës do të vijë dhe gratë e arta të Kosovës, dy të tjera tani, Distria Krasniqi e Nora Gjakova do të kthehen nga Tokio në Kosovë duke na nderuar sërish”, tha ajo.
Krahas kësaj, Hoxha tha se ekziston ana tjetër e medaljes ku shumë gra po bëjnë luftën e tyre për mbijetesë, duke qenë edhe viktima të dhunës seksuale dhe dhunës në familje.
Ajo ngriti shqetësimin edhe në mos alokimin e mjeteve financiare për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale.
“Sot në liri shumë nga gratë e Kosovës bëjnë luftën e tyre për mbijetesë duke qenë viktima të luftës seksuale në kohë lufte dhe plotë nga këto edhe viktima të luftës së dhunës në familje. Kjo është ana tjetër e medaljes…Për këto kategori po shihet se do të mungojë përkrahja e Qeverisë, më vjen keq për mikën time Vasfijen dhe të gjitha gratë tjera të prekura nga viktimat e dhunës seksuale, por kjo qeveri i ka lënë në harresë”, u shpreh ajo.