Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka thënë për Ekonomia Online se është papërgjegjësi e mazhorancës dështimi i seancës së sotme për shkak të mungesës së kuorumit. Sipas saj, pozita nuk po arrin që t’i kalojë një sërë ligjesh që nga viti i kaluar.
“E patë që sapo u hap seanca e sotme e rendit të ditës, është mbyllur për shkak të mungesës së deputetëve për të qenë në sallë. Natyrisht është përgjegjësi kryekëput e kësaj mazhorance e cila ndonëse ka pika të mbetura që nga viti i kaluar, nuk po arrin që t’i përfundojë seancat me raporte të cilat presin tash e tutje për t’u miratuar dhe natyrisht se përgjegjësia bie mbi këtë shumicë parlamentare, e cila nuk po arrin që t’i ketë deputetët në sallë dhe t’i sigurojë numrat për kalimin e ligjeve bazike e të mos flasë për marrëveshjet ndërkombëtare e Projektligje që prekin në thelb jetën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Deliu-Kodra.
Ndonëse e pranon se në seancë duhet të jenë edhe deputetët e opozitës, kuorumin kërkon ta bëjë pozita. Ajo thotë se përgjegjësia bazë bie mbi këtë shumicë parlamentare, pasi shumë seanca janë bartur nga viti i kaluar.
“Përderisa janë katër ose pesë seanca të mbetura që i kishim në rend dite për miratim në këtë seancë, janë ligje që janë bartur që nga viti i kaluar dhe natyrisht që përgjegjësia kryesore i takon shumicës parlamentare. Edhe opozita e ka rolin e vet në këtë punë, por një shumicë parlamentare e cila i ka votat për miratimin e ligjeve dhe nuk i ka 62 deputetë në sallë dhe thërret seancë plenare për ditën e mërkurë, natyrisht që përgjegjësia bazë bie mbi këtë shumicë parlamentare, e cila nuk po arrin të jetë funksionale”, thotë Deliu-Kodra.