Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku ka thënë se situata e tensionuar në veri është shkaktuar nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
Bunjaku tha se kjo ka ndodhur për shkak të moskoordinimit me aleatët ndërkombëtarë. Ajo tha se zgjedhjet e se dielës duhet të mbahen, pasiqë sipas saj, Kosova është shtet sovran dhe duhet që ta shtrijë sovranitetin e saj në çdo pjesë të territorit.
Bunjaku bëri thirrje që të gjithë qytetarët me të drejtë vote të marrin pjesë në këto zgjedhje.
“Realisht këto zgjedhje i ka shkaktuar vetë qeveria e Kosovës, sepse nuk është koordinuar me aleatët ndërkombëtarë dhe normalisht se zgjedhjet duhet që të mbahen, jemi Republikë, shtet sovranë dhe duhet ta shtrijmë sovranitetin tonë në gjithë territorin e Kosovës edhe ajo pjesë është Kosovë në këtë rast përgjegjësia është e qeverisë. Unë mendoj që zgjedhjet duhet që të mbahen dhe i ftoj të gjithë qytetarët që të marrin pjesë sa më shumë në zgjedhje, sepse kjo kauzë e krijuar tani nga kjo Qeveri pa bashkëpunim me aleatët tanë e ka dëmtuar Kosovën”, tha ajo.