Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vrarë të vetmin element të barazisë në shkollat fillore, duke mos i siguruar librat shkollorë për vitin 2023-2024.
Në seancën e Kuvendit, ku dështoi të mbahet seanca e jashtëzakonshme për këtë çështje, Bajrami akuzoi deputetët e mazhorancës që nuk morën pjesë në këtë seancë.
“Sot pamja në sallën e Kuvendit të Kosovës tregon shumë. Tregon se ku është qeveria e majtë, e cila e vrau të vetmin element të barazisë në shkollat fillore të Kosovës. Me të vetmin element që nxënësit janë ndjerë të barabartë ka qenë 1 shtatori kur prej shpalljes së pavarësisë e tutje ata i kanë marrë të gjitha librat dhe tekstet mësimore”, tha ajo.
Sipas saj, mungesa e deputetëve të pushtetit në seancën e sotme tregon se vendimi për kompensimin e librave shkollorë është i dëmshëm dhe antiligjor.
“Prej kujt po ikni, kujt po ia keni frikën. Nëse e keni me të drejtë, nëse mënyra e kompensimit pasi është edhe antiligjore se ligji e thotë librat sigurohen dhe jo kompensohen atëherë pse nuk i kemi deputetët e mazhorancës që të vijnë këtu dhe të përballën me kritikat tona”, theksoi ajo.