Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se kryeministri Albin Kurti sa ka qenë në opozitë është thirrur në bashkim kombëtar, mirëpo që nga marrja e mandatit nuk ka bërë ndonjë hap në këtë drejtim.
Ajo duke komentuar deklaratat e Kurtit se do të votonte për bashkim me Shqipërinë vetëm nëse do të kishte një referendum paqësor dhe demokratik, shtoi se Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së dhe orientimi duhet të jetë euroatlantik.
Madje sipas saj, ndërmjet vendeve të BE-së nuk ka kufi fare dhe natyrisht që do të ndodhë bashkimi.
“Në agjendat e tij politike Kurti kur ka qenë opozitë gjithmonë është thirru në bashkim kombëtar se duhet të ketë bashkim kombëtar. Mirëpo prej marrjes së Qeverisë nuk ka bërë ndonjë hap drejt këtij bashkimi kombëtar sepse ky është një proces që ndodh. Unë po mendoj që edhe në atë kohë kur ka qenë opozitë dhe tash kur është në pozitë janë deklarime politike dhe jo që do të angazhohet Kurti në këtë drejtim. Është e natyrshme, por Kosova e ka zgjedhur rrugën e integrimit evropian. Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së sepse orientimi i Kosovës është i tillë euroatlantik dhe mendoj që mes vendeve të BE-së nuk ka kufi fare dhe natyrisht që do të ndodh ai bashkim”, deklaroi Kadrijaj.