UBT News

Deputeti i LVV: Kontratat njëburimore janë vetëm propagandë e opozitës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në një konferencë për media ka prezantuar të dhënat sa i përket debatit mbi kontratat njëburimore për tenderët. Gjatë prezantimit të shifrave, kryetari i Komisionit për Buxhet, Muja tha se sipas të dhënave të KRPP-së del që numri i kontratave me procedurë të negociuar në mandatin e Qeverisë Kurti është përgjysmuar, kur krahasohet me qeverisjet e kaluara.

Deputeti Muja theksoi po ashtu se kontratat njëburimore janë vetëm propagandë e opozitës.

“Unë dëshiroj t’i korrektoj këto shifra duke i paraqitur të dhënat e sakta si janë pranuar nga KRPP. Gjithashtu dëshiroj të prezantoj për vitin 2021-2024, pastaj edhe për vitin 2008-2018-2020. Në fakt unë i kam pranuar të dhënat për numrin e kontratave njëburimore të nënshkruara ndër vite. Dhe siç shihet në grafikën trendi është në rënie në dy vitet e fundit, kështu kemi përgjysmë më pak kontrata njëburimore sesa mesatarja e viteve paraprake. Në vitin 2023 ka pasur 332 kontrata të negociura papublikim, krahasuar me vitin 2020 që ka qenë 885, në vitin 2018 kanë qenë 743. Pra, marrë parasysh në dy vitet e fundit kemi përgjysmë më pakë për nga numri. Kjo është e dhëna e parë që duhet të korrektohet”, theksoi Muja.

Deputeti Muja ka përmendur vlerën dhe përqindjen e kontratave një burimore ndër vite, ku përmendi edhe ish-ministren Hykemete Bajrami. Sipas tij, në vitin 2008 dhe 2015 ka qenë rekordi i numrave të kontratave njëburimore.

“Numri total I të gjitha kontratave në vitin 2023 kanë qenë 808 milionë euro, në vitin 2019 kanë qenë 780 milionë euro. Tash nga e gjithë kjo shumë e kontratave totale, një përqindje janë të negociuara. Tash del që në vitin 2023 në përqindje ka qenë kjo: Nga totali i të gjitha kontratave të nënshkruara 13.84 për qind kanë qenë të negociuara. Nëse e shikoni si për qindje e tendencës, rekordi natyrisht ka qenë vitin 2015 me 16.1 për qind. Ka qenë një rekord tjetër në vitin 2008 me 19.86 për qind. Çuditërisht përfaqësuesit e këtyre rekordeve… madje në vitin 2016 zonja Bajrami ka qenë ministre në Qeverinë e famshme Mustafa”, tha Muja.

Këto kontrata me procedurë të negociuar ka disa ditë që janë bërë objekt i përplasjeve mes ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami.

Pas kësaj konference për media të Vetëvendosjes, ka reaguar sërish ministri i Financave, Hekuran Murati.

Sipas Muratit, “kur i dëgjon teksa flasin opozita e analistët, të krijohet përshtypja që numri i këtij lloji të kontratave ka tejkaluar të gjitha qeveritë e mëparshme”.

“Është e kuptueshme që numri nuk mund të bjerë në zero sepse çdoherë del diçka për të prokuruar që kërkon shfrytëzimin e neneve 34 dhe 35 të ligjit për prokurim publik. Ama as që bëhet fjalë për rritje të numrit të kontratave të tilla, e aq më pak shkuarjes përtej asaj që e lejon ligji. Të dhënat më poshtë më së miri e dëshmojnë që e gjithë zhurma e propaganda e bërë tash e disa muaj, e orkestruar nga opozita, të cilës po ia mban zhagun edhe Prokuroria Speciale, nuk është asgjë tjetër pos një luftë speciale kundër Qeverisë Kurti, qeverisë më të ndershme që vendi ka pasur ndonjëherë”, ka shkruar Murati.

Exit mobile version