UBT News

Deputeti i AAK-së: Kurti e Sveçla po e rrezikojnë sigurinë e Kosovës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla se me politikat e tyre, siç i ka quajtur fëmijërore ndaj policisë, po e rrezikojnë sigurinë e Kosovës.

Berisha, i cili është edhe kryetar i Komisionit parlamentar për siguri, kërkoi urgjentisht të plotësohen kërkesat e policisë, përfshirë edhe të njësisë elitare FIT.

“Derisa më 24 shtator është cenuar rendi kushtetues i Republikës së Kosovës nga një shtet armik sikur është Serbia, sot sigurinë e Kosovës janë duke e rrezikuar politikat fëmijërore të një kryeministri dhe të një ministri të dështuar. Sot nuk jam para jush për me fol për koeficientin, por këtu jam të kërkoj që me urgjencë kërkesat e Policisë së Kosovës prej atij që është kadet dhe deri te Njësia FIT të realizohen menjëherë. Është e pakapshme për mendjen e një njeriu normal që të dalë i pari i Qeverisë dhe ministri përgjegjës e të thotë se polici e ka rrogën dy mijë euro. A e dini çfarë mashtrimi dhe çfarë rrene është kjo? Kjo tendencë për të degraduar argumentin e policisë është më e keqe se krejt mashtrimet që i kanë bërë deri më sot”, tha ai.

Berisha në konferencë për medie të enjten, tha se edhe pozitë-opozitë duhet të kenë konsensus në Kuvendit për këtë çështje.

“Për këtë çështje Kuvendi i Kosovës, pozitë dhe opozitë duhet pasur konsensus dhe kërkojmë që me urgjencë të veprohet dhe kushtet e policisë të plotësohen…Është hera e parë që një njësi elite del para qeverie, këtu duhet të ketë vetëm konsensus dhe mirëkuptim. Nuk duhet pasur kundërshtime, por duhet diskutim. Për neve dhe për krejt opozitën dhe ata që kanë mend në kokë duhet t’ia lehtësojnë jetën këtyre njerëzve. Ne kemi bërë krejt atë çka është e mundshme si opozitë dhe si qytetarë. Më së paku jemi duke bërë politikë për këtë çështje vetëm duhet të zbatohen kërkesat e vogla dhe të thjeshta të cilat munden të zbatohen menjëherë”, shtoi Berisha.

Krahas kësaj, Berisha u shpreh kritik ndaj ekzekutivit edhe siç tha shpërfilljen ndaj minatorëve grevistë në Trepçë.

Ndryshe, dje para objektit të Qeverisë së Kosovës kanë protestuar dy njësitë elitare të policisë, të cilat kërkuan të rishikohet kategorizimi për rrezikshmërinë në punë.

Exit mobile version