UBT News

Deputetët munguan mbi 400 herë në sesionin pranveror

Deputetët e Kuvendit kanë munguar plotë 440 herë në seanca plenare gjatë sesionit pranveror. Kjo dukuri negative, ngjashëm sikur të kaluarën, po e përcjell edhe legjislaturën e tetë. Për t’iu shmangur të njëjtës, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po kërkon që me anë të rregullores së re të Kuvendit të sanksionohen financiarisht deputetët që mungojnë pa arsye objektive në seanca.

Në publikimin e të gjeturave nga monitorimi i punës së legjislativit në katër muaj punë, ku u mbajtën 23 seanca, KDI vlerësoi se sesioni pranveror është karakterizuar me numër të ulët të miratimit të ligjeve.

Hulumtuesja në KDI, Agnesa Haxhiu në një konferencë për medie tha se shumica parlamentare duhet të ndërtojë një bashkëpunim më të madh me opozitën në Kuvend.

“Një problematik që e ka përcjellë punën e Kuvendit, ngjashëm sikur të kaluarën janë mungesat e shumta të deputetëve në seanca. Veprime këto që padyshim kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punimeve plenare. Sipas të dhënave të siguruar nga Kuvendi, deri në fund të muajt korrik, deputetët kanë munguar plotë 440 herë. Çështja e mungesës së deputetëve duhet të rregullohen me rregulloren e re të punës e cila është në shqyrtim, ku do të parashiheshin sanksione financiare për deputetët që mungojnë pa arsye objektive, dhe atyre që përfitojnë mëditje pa qëndruar gjatë gjithë kohës sa zgjasin punimet”, tha ajo.

Mungesën e ulët të miratimit të ligjeve, Haxhiu ia adresoi Qeverisë Kurti, e cila sipas saj është vonuar në dërgimin e agjendës legjislative në Kuvend.

“Ky sesion është karakterizuar me numër të ulët të ligjeve të miratuara, vetëm shtatë sosh. Në krahasim me dhjetë ligjet e martuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në bazë të agjendës legjislative të Kuvendit deri në përfundim të sesionit janë proceduar 29 projektligje, prej të cilave 7 janë miratuar, ndërsa 22 të tjera janë në procedurë të shqyrtimit nga komisionet parlamentare. Në anën tjetër, qeveria ka dështuar të përmbush planin e saj legjislativ, duke dorëzuar vetëm 27 projektligje nga 65 sa kanë qenë të parapara në periudhën prill-gusht”, shtoi Haxhiu.

Krahas kësaj, ajo tha se mazhoranca dhe opozita duhet të gjejnë një gjuhë bashkëpunuese, sidomos për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Shumica parlamentare, gjegjësisht qeveria duhet të ndërtojë një qasje bashkëpunuese me opozitën në funksion të arritjes së pajtueshmërisë për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku dihet se deri në fund të këtij viti janë paraparë të shqyrtohen edhe 14 të tilla”, tha ajo.

Si element pozitiv të këtij sesioni, Haxhiu e përmendi ngritjen e performancës në rolin mbikëqyrës të ekzekutivit, përmes parashtrimit të pyetjeve parlamentare.

Exit mobile version