Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot në përpjekjen e njëmbëdhjetë për ta konstituar përbërjen e re të dalë nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), por në gjashtë votime, kandidatja e saj, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61.
Më 3 maj, deputetët, për të dytën herë me radhë, refuzuan që të formohet një komision për votim të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës, i cili u propozua nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, gjatë përpjekjes së nëntë për konstituim të Kuvendit.
Në vazhdimin e dhjetë të seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë thanë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë.
Para përpjekjes së nëntë për konstituimin e Kuvendit, më 1 maj, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ftoi në takim udhëheqësit e PDK-së dhe të LDK-së.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pranoi ftesën, por pas takimit ai nuk njoftoi për një ujdi se si të shkohet përpara.
Partitë që po kundërshtojnë emrin e Haxhiut për kryeparlamentare i kanë kërkuar LVV-së të ndryshojë propozimin për postin, në mënyrë që procesi të zhbllokohet./REL/