UBT News

Deputetët gjermanë kërkojnë lirimin e Julian Assange

Mbi 70 anëtarë të parlamentit gjerman nga katër parti të ndryshme politike i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden dhe qeverisë britanike që të ndalojnë deportimin e afërt të themeluesit të Wikileaks, Julian Assange nga Britania e Madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u përballur me akuzat për spiunazh.

“Gazetarët nuk duhet të ndiqen dhe as të dënohen për punën e tyre”, deklaruan deputetët në një letër të hapur.

“Për hir të lirisë së shtypit, si dhe për arsye humanitare për shkak të shëndetit të tij të dobët, Julian Assange duhet të lirohet menjëherë”, thuhet tutje në letrën e tyre.

Assange u burgos në Mbretërinë e Bashkuar që nga prilli i vitit 2019, kur Qeveria e Ekuadorit, në ambasadën e së cilës në Londër ai jetoi për shtatë vjet, tërhoqi statusin e tij të azilit.

Në maj 2019, ndërsa po vuante një dënim me burg në Britani për shkelje të lirimit me kusht, Departamenti i Drejtësisë amerikane ngriti 17 akuza kundër Assanges për shkelje të Aktit të Spiunazhit – duke pretenduar se materiali i marrë nga Wikileaks rrezikonte jetë.

Ekipi ligjor i Assanges pretendoi se dokumentet e klasifikuara të publikuara nga Wikileaks, të cilat lidheshin me luftërat në Irak dhe Afganistan, ekspozonin keqbërjet e ShBA-së dhe ishin në interesin publik.

“Shtypi i lirë është pjesë thelbësore e çdo demokracie”, thanë anëtarët e Bundestagut. “Jemi shumë të shqetësuar për efektin parandalues që mund të ketë deportimi dhe dënimi i Assange për lirinë e shtypit dhe gazetarinë hulumtuese në gjithë botën”, u tha tutje.

Anëtarët e tri partive të koalicionit të qeverisë gjermane kanë nënshkruar letrën – Social Demokratët e qendrës së majtë (SPD), të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë neoliberalë (FDP) – si dhe disa përfaqësues të Partisë së Majtë socialiste të opozitës. Letra nuk u nënshkrua nga anëtarët e opozitës konservatore Kristian Demokrate (CDU) e as populistët e ekstremit të djathtë nga Alternativa për Gjermaninë (AfD)./UBTNews/

Exit mobile version