Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka shqyrtuar propozim-vendimin e Qeverisë me kandidatët për anëtarë dhe zëvendës-anëtarë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Deputeti Visar Hoti në cilësinë e kryesuesit të grupit punues për shqyrtimin e anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve për Provimin e Jurisprudencës, tha se disa nga kandidatët nuk i plotësojnë kriteret për këto pozita.
“U shqyrtuan kandidatët për anëtarë dhe zëvendësanëtarë. Disa nga kandidatët nuk i plotësojnë kushtet për këto pozita. Dastrit Pallaska e Mahir Tutuli nuk i plotësojnë kushtet ku kërkohen 12 vjet përvojë pune në fushën e drejtësisë”, deklaroi ai.
Deputeti i VV-së, Alban Hyseni tha se për Pallaskën ka pasur edhe një rast në gjykatë, prandaj edhe duhet që të kërkohen sqarime nga institucionet.
“Pallaska ka një rast që është akuzuar më herët dhe është mirë të kërkohen sqarime nga institucionet përkatëse”, deklaroi ai.
Deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha tha se ky grup nuk i plotëson kërkesat dhe duhet që mos të miratohet në Kuvend.
“Kemi marrë të gjitha dokumentacionet e ardhura nga Qeveria në Komisionin tonë. Secilin prej kandidatëve e kemi vlerësuar në bazë të asaj që kanë sjellë për neve. Ka pasur CV të gjatë e të tilla edhe me një gjysmë faqe. Mendoj që ky grup i propozuar nga Qeveria duhet të konstatohet që nuk i plotëson kërkesat dhe mos të miratohet në Kuvend”, ka thënë ajo.
Kryesuesi i komisioni, Shkëmb Manaj ka propozuar që të ftohet ministri i Drejtësisë, që të njoftohet për të gjeturat për kandidatët në mënyrë që atij t’i jepet mundësia për tërheqjen e këtyre propozimeve dhe sjelljen e propozimeve të tjera, raporton EO.
“Dastrit Pallaska e Mahir Tutuli nuk i plotësojnë kushtet sepse s’kanë 12 vjet përvojë pune”, deklaroi Manaj.
Kurse deputeti i VV-së, Dimal Basha ka propozuar që fillimisht t’i dërgohet një shkresë ministrit.