Deputetët nga 18 rrethe komunale në Moskë, Shën Petersburg dhe Kolpino kanë bërë thirrje për dorëheqjen e presidentit rus Vladimir Putin, sipas një peticioni me një listë nënshkrimesh të postuar në Twitter të hënën.
“Ne, deputetët komunalë të Rusisë, besojmë se veprimet e presidentit, Vladimir Putin, janë të dëmshme për të ardhmen e Rusisë dhe të qytetarëve të saj. Ne kërkojmë dorëheqjen e Vladimir Putin nga posti i Presidentit të Federatës Ruse”, thuhet në peticionin e postuar nga Ksenia Thorstrom, një deputete lokale e rrethit Semenovsky në Shën Petersburg.
Peticioni vjen pas zgjedhjeve të para rajonale dhe komunale të Rusisë që nga fillimi i luftës, të cilat sollën një fitore gjithëpërfshirëse për kandidatët pro-Kremlinit.
“Teksti i peticionit është konciz dhe nuk “diskrediton” askënd. Nëse jeni mundep [deputeti i komunës] dhe dëshironi të bashkoheni, jeni të mirëpritur”, tha Thorstrom në një postim në Twitter.
Këshilli i një distrikti të Moskës (Lomonosovsky) gjithashtu kërkoi dorëheqjen e Putinit, duke thënë: “Pikëpamjet tuaja dhe modeli juaj i qeverisjes janë pashpresë [dhe] të vjetruara dhe pengojnë zhvillimin e Rusisë dhe potencialin e saj njerëzor”.
Javën e kaluar, deputetët e komunës Smolninskoye të Shën Petersburgut i bënë thirrje Dumës Shtetërore të Federatës Ruse që të ngrejë akuza për tradhti kundër Vladimir Putinit. Disa prej tyre tani përballen me akuza për diskreditim të ushtrisë ruse, sipas një postimi në Twitter nga një prej zyrtarëve lokalë, Nikita Yuferev./UBTNews/