UBT News

Dënohet me vdekje japonezi që kishte shkaktuar zjarrin që kishte lënë të vdekur 36 persona

Një japonez është dënuar me vdekje për një sulm me zjarr në një studio animacioni në Kioto në vitin 2019. Zjarri i shkaktuar vrau 36 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

Incidenti, një nga më vdekjeprurësit në Japoni në dekadat e fundit, vrau kryesisht artistë të rinj dhe tronditi botën e adhuruesve të anime, shkruan BBC, transmeton KosovaPress

Shinji Aoba, 45 vjeç, u deklarua fajtor për sulmin, por avokatët e tij kishin kërkuar një dënim më të lehtë, duke argumentuar arsyet e “paaftësisë mendore”.

Gjyqtarët e refuzuan këtë megjithatë, duke vendosur që Aoba e dinte se çfarë po bënte.

“Kam përcaktuar se i pandehuri nuk ishte i çmendur ose i dobët mendërisht në kohën e krimit”, tha kryegjyqtari Masuda të enjten në Gjykatën e Qarkut të Kiotos.

“Vdekja e 36 personave është jashtëzakonisht e rëndë dhe tragjike. Frika dhe dhimbja e viktimave të ndjera është e papërshkrueshme”, tha ai sipas raporteve të NHK-së.

Shumë nga stafi u vranë pasi u bllokuan në katet e sipërme të studios ndërsa zjarri u përhap. Një nga rastet më tronditëse në dekadat e fundit në Japoni, incidenti ndezi zi kombëtare.

Prokurorët kishin kërkuar dënimin me vdekje duke thënë se Aoba, i cili ishte autor, ishte i motivuar të sulmonte studion pasi besonte se vepra e tij ishte vjedhur.

Në muajin korrik të vitit 2019, ai hyri në studio gjatë një dite pune, duke spërkatur benzinë në katin e parë. Ai më vonë tha gjatë pranimit të fajit në shtator të vitit 2023 se ai nuk e dinte se sa njerëz do të bllokoheshin në ndërtesë.

“Ndjeva se nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të bëja atë që bëra”, tha ai në atë kohë.

Vetë Aoba pësoi djegie në mbi 90% të trupit të tij në zjarr dhe u arrestua vetëm pasi u shërua nga operacioni.

“Iluzioni se Studio e Animacionit në Kyoto kishte bërë plagjiaturë punën e tij ndikoi në motivimin e tij”, i kishin thënë prokurorët gjykatës.

Por ata thanë se ai nuk ishte i kontrolluar nga iluzionet e supozuara dhe kishte kapacitet dhe njohuri të plotë për veprimet e tij.

Japonia ruan dënimin me vdekje për krimet e saj më të rënda, si vrasjet e shumëfishta.

Studioja KyoAni në Kioto është një institucion i dashur, i njohur për prodhimin e filmave dhe romaneve grafike.

Exit mobile version